Janë disa shtëpi njëra pas tjetrës.
Ndërtimi i tyre nuk ka përfunduar në tërësi.
Kështu, kulmi i njërës prej shtëpive, rezultoi të jetë fatale për një 62-vjeçar.
Pasditën e së hënës, ai dyshohet se ra nga një lartësi prej 8 metrash, gjersa ishte duke punuar.
Vdekja e tij u konstatua në vendin e ngjarjes.
Pra, 62 vjeçari nuk ishte pjesë e punëtorëve që po kryenin punime në këtë zonë.
Kjo u konfirmua edhe nga Inspektorati Qendror i Punës.
“Aksidenti ka ndodhur në një shtëpi private, ku po kryheshin punime për renovimin e kulmit, ndërsa viktima nuk ishte i angazhuar në procesin e punës, por ishte vëllai i pronarit të shtëpisë. IQP ka konstatuar se nuk ka ekzistuar marrëdhënie kontraktuale investitor–punëkryes, si dhe nuk ka pasur marrëdhënie pune, sipas përcaktimeve ligjore”, ka njoftuar nga Inspektorati Qendror i Punës .
Ky rast është cilësuar si hetim i vdekjes/ heqje e pajisjeve mbrojtëse.
Lidhur me këtë rast, Policia ka njoftuar se është arrestuar një person.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar punë-kryesi ku ka ndodhur rasti, me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion, derisa hetimet nga organet e rendit janë duke vazhduar.






