Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) ka shënuar rezultatin më të lartë investues brenda një periudhe gjashtëmujore që nga themelimi i tij.
Sipas Kurtit, nga 1 janari deri më 30 qershor 2026, kthimi bruto nga investimet e Trustit ka arritur në rreth 312 milionë euro.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se, së bashku me rezultatet e viteve paraprake, nga fillimi i vitit 2023 deri në fund të qershorit 2026, Trusti ka akumuluar rreth 956 milionë euro kthim bruto nga investimet.
“Trusti ka akumuluar rreth €956 milionë kthim bruto nga investimet:
• 88 milionë euro në vitin 2023
• 247 milionë euro në vitin 2024
• 309 milionë euro në vitin 2025
• 312 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026”, ka theksuar ai.
Kurti i ka cilësuar këto rezultate si lajm të mirë për qindra mijëra kontribuues, kursimet e të cilëve menaxhohen për sigurinë e tyre financiare pas pensionimit.
Ai ka theksuar se rezultatet e arritura dëshmojnë rëndësinë e qeverisjes së mirë, profesionalizmit, integritetit dhe përgjegjësisë institucionale.
“E përgëzoj Bordin, menaxhmentin dhe të gjithë punonjësit e Trustit për punën dhe përkushtimin e tyre. Vlera e gjithëmbarshme e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës tash është 4 miliardë e 245 milionë euro”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri në detyrë ka shtuar se institucionet publike duhet të vazhdojnë të përmirësojnë kuadrin ligjor, duke garantuar që kursimet pensionale të qytetarëve të menaxhohen me siguri, transparencë dhe perspektivë afatgjatë.







