Një 19-vjeçar është arrestuar të hënën nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për përfshirje në grabitjen në tentativë të një lokali argjendarie në Gjilan.
Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi është kryer rreth orës 14:09, pas veprimeve të shpejta operative të hetuesve të Njësisë së Hetimeve në Stacionin Policor në Gjilan, të cilët arritën ta identifikojnë, lokalizojnë dhe arrestojnë të dyshuarin.
Gjatë arrestimit, policia ka sekuestruar një revole, si dhe një motoçikletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së veprës penale.
I dyshuari është intervistuar në përputhje me procedurat ligjore, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Grabitje në tentativë”.
Policia bëri të ditur se hetimet për rastin janë në vazhdim./teve1.info/







