Sistemi i ri i kontrollit të BE sjell probleme në aeroporte pikërisht në sezonin e pushimeve.
Pasojat ndihen qartë: radhë të gjata në kontrollet kufitare, vonesa dhe pasagjerë që humbasin fluturimet e tyre.
Sistemi i ri kufitar i BE-së, EES – Entry/Exit System po sjell probleme në aeroporte.
Për të forcuar kontrollin në kufijtë e jashtëm, Brukseli ka futur një procedurë të re digjitale për regjistrimin e hyrjeve dhe daljeve të shtetasve joanëtarë të BE-së.
Që nga hyrja e plotë në fuqi në prill, shtetasit e vendeve jashtë BE-së duhet të regjistrojnë të dhëna biometrike, si gjurmët e gishtërinjve dhe skanimin e fytyrës, sa herë që hyjnë ose dalin nga BE.
Aeroportet dhe kompanitë ajrore po shtojnë tani presionin ndaj Brukselit, pikërisht, sepse sistemi i ri Entry/Exit (EES) shkakton probleme serioze në pikat kufitare – vonesa dhe pasagjerë që humbasin fluturimet e tyre.
Procedura digjitale synon të zëvendësojë vulat tradicionale në pasaporta dhe të rrisë sigurinë kufitare. Në praktikë, megjithatë, sistemi ka sjellë radhë të gjata në kontrollet kufitare.
Aeroportet dhe kompanitë ajrore paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet edhe më tej gjatë sezonit veror.
Sipas përfaqësuesve të industrisë së fluturimit , në orët e pikut pritjet mund të zgjasin me orë të tëra.
Kompani ajrore si Ryanair kritikojnë sistemin, duke argumentuar se ai nuk është ende i përgatitur për fluksin e madh të pasagjerëve.
Ato kërkojnë që zbatimi i EES të mund të pezullohet përkohësisht në rast mbingarkese të aeroporteve.
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i kompanisë ajrore easyJet i ka përshkruar radhët e gjata në pikat kufitare si “plotësisht të papranueshme”. /DW









