Zyra e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar për takimin që ai zhvilloi me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në kuadër të konsultimeve me partitë politike për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Sipas njoftimit, takimi u mbajt në Kuvendin e Kosovës dhe u zhvillua në një atmosferë konstruktive, megjithëse nuk solli ndonjë marrëveshje konkrete.
Pas takimit, Kurti tha se pret që fryma e bashkëpunimit të vazhdojë edhe në procesin e mëtejmë të konsultimeve.
“Uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të mbizotërojë edhe në vijim dhe, në përputhje me afatet kushtetuese, t’i konstituojmë institucionet. Për bindjen time, vullneti është aty dhe atmosfera konstruktive duhet të vazhdojë të mbizotërojë”, ka deklaruar Kurti.
Ai foli edhe për procesin e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se përgjegjësia për këtë proces u takon të gjitha subjekteve politike.
“Për zgjedhjen e presidentit përgjegjësia bie mbi të gjitha partitë”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë konsensuale.
“Për këtë pozitë duhet një figurë konsensuale, të mos jetë i asnjë partie dhe të jetë përtej polemikave të skenës aktuale, me vlera të dëshmuara kombëtare e profesionale dhe që të jetë shprehje e unitetit”, është shprehur ai.
Në takimin me kryetarin e PDK-së ishte i pranishëm edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
Në kuadër të rundit të konsultimeve për formimin e institucioneve të reja, kryeministri në detyrë Albin Kurti pritet që gjatë pasdites të zhvillojë takim edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.







