Me duar në pranga u sollën në gjykatore.
Dy vëllezërit, Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, akuzohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 ndaj kanalit të Ibër Lepencit.
Përgjegjësinë për këtë akuzë, ata e mohuan edhe në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor.
Mirëpo, prokurori special Bekim Kodraliu, në fjalët hyrëse përmblodhi provat që vërtetojnë të kundërtën.
“Do të vërtetohet se të akuzuarit bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar, pas një marrëveshje paraprake kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit ushtrakak rreth 20 kg TNT në kanalin e Ibër Lepencit duke shkaktuar dëmtime të rënda materiale, ndërprerje të furnizimit me ujë dhe duke rrezikuar seriozisht furnizimin me energji elektrike në nivel vendi”, tha Bekim Kodraliu – prokuror special.
Në hetimin e këtij sulmi, të përfshirë ishin edhe ndërkombëtarët, si SHBA-të dhe autoritetet italiane.
“Konkluzioni i ekspertëve të FBI se mostrat e baltës së çizmeve të të pandehurve, për dallim nga tri vendet e tjera, nuk paraqesin dallime për nga ngjyra, struktura, përbërja minerale dhe karakteristikat tjera të dheut të marrë në vendin e ngjarjes me dheun e gjetur në çizmet e Jovan dhe Dragisha. Por ka dallueshmëri me mostrat e dheut të marra në tri lokacione të tjera”, tha Kodraliu.
Këto e provat tjera materiale, sipas prokurorit tregojnë qëllimin e këtij sulmi.
“Prokuroria do të provojë se ky sulm nuk ishte veprim spontan apo i izoluar, por pjesë e një veprimtarie të organzuar dhe planifikuar e koordinuar mirë, me të vetmin qëllim që të cënojë infrastrukturën kritike dhe sigurinë kombëtare të Kosovës”, u shpreh ai.
Deri në këtë sulm, sipas prokurorit janë bërë përgatitje të shumta, ku rol të rëndësishëm në to ka luajtuar Qeveria e Serbisë.
“Do të paraqesë prova konkrete lidhur me trajnimet dhe përgatitjet që sipas provave janë zhvilluar në poligionin ushatarak i quajtuar “livadhet e pasulit” në Republikën e Serbisë, që tash dyshohet se ka varrezë masive. Krejt kjo si pjesë e përgatitjeve të aktiviteteve të kundërligjshme ndaj shtetit të Kosovës. Vërtetohet se qeveria e Serbisë ka pasur një rol kyç në këto përgatitje”, bëri të ditur Kodraliu.
Për të akuzuarin Jovan Viqentijeviq, rëndon akuza edhe për spiunazh.
“Do të dëshmojmë se i njëjti për një periudhë të caktuar kohore e deri në arrestimin e tij ka vepruar në dobi të shërbimit inteligjent ushtarak serb dhe atë duke mbledhur, transmetuar informacione, dokumente të karakterit të ndjeshëm të sigurisë që drejtpërdrejt kërcënuan rendin juridik dhe sigurinë kombëtare”, theksoi prokurori special.
Megjithatë, mbrojtja e dy të akuzuarve aktakuzën e quan të mangët e të pabazuar.
“ Besoj se procedurën e provave që prokuroria nuk do ta provojë fajësinë e Dragishës sepae nuk e dijnë se cilin veprim konkret e ka kryer atë ditë, nuk e dijnë se në çfarë forme ka marrë pjesë, me çfare prove vërtetohet dashja e tij dhe pjesëmarrja e tij në vendin e ngjarjes. Do të propozojmë së paku katër dëshmitarë që do të vërtetojnë alibinë e tij. Do të propozojmë së paku dy incizime”, u shpreh Millosh Deleviq – avokat i Dragisha Viqentijeviq.
“Thotë që ka uniforma ruse, por nuk është asnjë. Është sllovene, është vërtetuar. Më shume ka amerikane, por ato nuk i përmend. Ato konsiderohen uniforma të miqve të Kosovës. Por i përmend uniformat ruse, që në fakt nuk ekzistojnë”, Nebojsha Vllajiq – avokat i Jovan Viqentijeviq.
Në këtë procedurë, i akuzuar është edhe Igor Dimoviq për armëmbajtje pa leje.
“Gjatë procedurës do të ofrojmë prova se bëhet fjalë për koleksionimin e sendeve të vjetra, përkatësisht se i mbrojturi im është koleksionist i pasionuar i sendeve të vjetra, që përfshin edhe sende të amvisërisë së vjetra të cilat janë të rralla dhe se nuk bëhet fjalë as për armë e as për pajisje ushtarake”, tha Jelena Kripokapriq – avokate e Igor Dimoviq.
Në këtë seancë, përfaqësues të Ibër Lepencit theksuan dëmin material që iu është shkaktuar dhe rrezikun që iu ishte shkaktuar punëtorëve dhe ndërmarrjeve që varen nga furnizimi me ujë nga ky kanal.






