Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se Kryesia e partisë po diskuton për dy çështje kryesore, analizën e rezultatit të zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe kërkesat që lidhen me bashkëpunimin për ndërtimin e institucioneve të reja.
Sipas Hazirit, LDK nuk e konsideron si opsion mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vjeshtën e këtij viti.
“LDK-ja po diskuton për dy çështje kryesore, duke analizuar rezultatin e fundit zgjedhor, si dhe kërkesat që lidhen me bashkëpunimin në kuadër të ndërtimit të institucioneve. Nuk ka vend, hapësirë dhe arsye me e mendua opsionin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vjeshtën e ardhshme”, tha Haziri.
Ai shtoi se ftesa e marrë së fundmi është shqyrtuar nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në emër të partisë, duke e cilësuar këtë si dëshmi të kulturës politike dhe rolit institucional të LDK-së.
“Ftesa e sotshme e konfirmon që Abdixhiku, në emër të LDK-së si përfaqësues i saj, e ka trajtuar letrën dhe ajo është duke u diskutuar. Ne e konfirmojmë kulturën tonë politike dhe rolin e LDK-së”, u shpreh Haziri./teve1.info/






