Policia e Kosovës ka njoftuar se po vazhdon aktivitetet intensive në luftimin e dukurive të kundërligjshme dhe largimin e armëve ilegale nga duart e qytetarëve.
Sipas njoftimit, të mërkurën, zyrtarët e Sektorit të Hetimeve Rajonale në Mitrovicën e Veriut, në koordinim me hetuesit e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, kanë siguruar informacione se një 29-vjeçar me inicialet A.A. me vendbanim në Leposaviq, posedonte armë ilegale.
Pas pranimit të informatave, njësitë policore kanë kryer kontrolle në dy lokacione në komunën e Leposaviqit dhe në një lokacion në komunën e Vushtrrisë.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar një flamur me mbishkrimin “Kosovo je Serbia”, dy bomba tymuese, një pistoletë me gaz së bashku me një karikator, një armë e gjatë AK-47, si dhe një karikator i mbushur me 30 fishekë.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I dyshuari është intervistuar dhe, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në identifikimin dhe largimin e armëve ilegale nga duart e qytetarëve dhe fton të gjithë qytetarët që çdo rast të dyshimtë ta raportojnë në numrin 192”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/








