Kooperacioni Italian për Zhvillim ka mbështetur Klinikën e Kirurgjisë Kardiake dhe Laboratorin e Mikrobiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) me pajisje të reja teknologjike dhe moderne.
Investimi synon përmirësimin e kapaciteteve shëndetësore, rritjen e cilësisë së trajtimit dhe ofrimin e shërbimeve më efikase për pacientët.
Për të parë nga afër rezultatet e këtij investimi, të mërkurën QKUK-në e vizitoi zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar i Italisë, Edmondo Cirielli, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Gjatë vizitës, Cirielli vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet Italisë dhe Kosovës në fushën e shëndetësisë, duke theksuar rëndësinë e këtyre investimeve në forcimin e sistemit shëndetësor dhe ngritjen e kapaciteteve për trajtimin e pacientëve.
Pajisjet e reja pritet të ndikojnë në modernizimin e shërbimeve në Klinikën e Kirurgjisë Kardiake dhe Laboratorin e Mikrobiologjisë, duke krijuar kushte më të mira për stafin mjekësor dhe pacientët.








