Ushtruesja e detyrës së shefes së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatová, në një opinion të publikuar në lidhje me zhvillimet në skenën politike të Kosovës, theksoi se tashmë është koha për të qeverisur.
“Sot, nevoja për këtë kulturë politike dhe për aftësinë për kompromis është më e madhe se kurrë, sepse Kosova ka përpara një dritare mundësish që nuk duhet humbur”.
Duke sjellë sërish në vëmendje thirrjet e liderëve të BE-së që Kosova të ndërtojë institucionet e saj dhe të përfitojë nga momentumi i krijuar në BE për zgjerimin, Palatova kujtoi edhe përgjegjësinë që kanë partitë politike, sidomos partia e parë.
“Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, prioritetet janë të qarta: partia fituese mban një përgjegjësi të veçantë për t’u angazhuar me forcat politike në të gjithë spektrin politik, në mënyrë që të ndërtojë kompromiset e nevojshme, të cilat jo vetëm do të mundësojnë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, por edhe zgjedhjen e Presidentit, duke respektuar plotësisht kërkesat kushtetuese dhe shumicat e nevojshme.
Në të njëjtën kohë, të gjitha partitë e zgjedhura kanë përgjegjësinë të angazhohen në këto negociata me mirëbesim për ta arritur këtë qëllim. Së bashku, ato duhet të vazhdojnë me reformat që do ta vendosin integrimin europian të Kosovës në qendër të vendimmarrjes së tyre dhe të dëshmojnë se kompromisi në funksion të së ardhmes evropiane të Kosovës është i mundur”, shkroi Palatova.
Ajo paralajmëroi se pasojat nga mungesa e stabilitetit politik po bëhen të dukshme, ndërsa tha se javët në vijim kanë të bëjnë me më shumë sesa vetëm formimin e qeverisë.
“Ato kanë të bëjnë me rikthimin e funksionalitetit politik, rindërtimin e besimit të publikut dhe sigurimin që Kosova të përfitojë plotësisht nga momenti i favorshëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian”, shkroi Palatova.









