Është ndër të parat që vjen në sallë.
Nëna e Bekim Variut, po ndjek nga afër seancat ky po shqyrtohen akuzat për vrasjen e djalit të saj.
Gjykimi kundër të akuzuarit Leutrim Fejza, ka mbërritur në dëgjimin e dëshmitarëve të prokurorisë.
Të mërkurën u dëgjua dëshmia e personit me të cilin i akuzuari kishte pasur kontakte gjatë periudhës kur dyshohet se është kryer vrasja e Bekim Varit.
Dhënia e kësaj dëshmie u përcoll me tensione.
Fillimisht, nga ana e mbrojtjes së të akuzuarit u kërkua që ndaj dëshmitarit të mos ushtrohet presion me faktin se mund të ndiqet penalisht për dëshmi të rreme.
“Kërkoj nga ju si kryetare e trupit gjykues, që prokurori të udhëzohet të mos bëjë komente sepse dëshmitari e ka moshën që ka qenë shumë i ri atëherë dhe ndoshta është hera e parë në Gjykatë. Kështu që, qyshdo që të jetë është përgjigjja e tij dhe të mos tentohet të frikësohet në dëshminë e tij. Unë po e shoh tendencën”, tha Sarnda Keqekolla –avokate e të akuzuarit Leutrim Fejza.
Pretendimet për presion ndaj dëshmitarëve, i hodhi poshtë prokurori i rastit.
“Para një viti ka qenë në zyre tek unë, nuk e kërcënon askush. Nuk e kërcënoj, nuk është në natyrën tem, të jesh e bindur. Këtu jemi t’u deshtë me vërtetu të drejtën, m’e zbardhë të vërtetën”, u shpreh Shukri Jashari – prokuror.
Gjatë dhënies së dëshmisë, kohë pas kohe me pyetje ndërhyrën anëtarët e trupit gjykues.
Kjo solli tensionim të situatës, shkak i reagimit të prindit të dëshmitarit.
“Mos i boni presion djalit, unë prindi tij jam. Nuk ka nevojë me maltretu djalin kështu”, tha Shukri Brahimi – prind i dëshmitarit.
Ai nuk u zmbraps as pas paralajmërimit për gjobitje dhe largim nga salla.
“Dënom more,unë e kam djalë, ndërhy. Dënom nuk o problem”, vazhdoi reagimin ai.
“Hjeki syzat prej kokës se jena në sallë gjykimi. Sjellje joprofesionale”, ishte vërejtja e gjyqtarit Ilir Bytyqi për Brahimin.
“Deri tash s’ke obligim, tash u bo”, reagoi Brahimi.
Kjo ishte pika kulminante që rezultoi me largim nga salla përmes zyrtarëve policorë, përderisa fjalët mes gjyqtarit dhe prindit të dëshmitarit nuk u ndalën.
Qetë nuk kaloi as dëshmia e dëshmitarit të dytë, që është personi që gjeti në mal trupin e pajetë të viktimës.
Ai në një moment barazoi avokaten e të akuzuarit me të akuzuarin, çka nuk u prit mirë nga mbrojtja.
“Duhet me kuptu që unë jam zyrtarisht këtu. Le ta shtin në procesverbal dhe le të kërkon falje, sepse unë muj m’u ndi edhe e kërcënume kur t’dal jashtë sepse ky konsideron se unë jam e njëjtë me një person që po dyshohet për një vepër të rëndë”, ishte reagimi i avokates së të akuzuarit.
Ani pse mediat u lejuan të xhirojnë punimet e kësaj seance, në këtë fazë të procedurës atyre iu kufizua publikimi i përmbajtjes së deklarimeve të dëshmitarëve.
Bekim Vari dyshohet të jetë vrarë më 23 janar të vitit 2025 në malet e fshatit Manastirc të Ferizaj.
Trupi i tij u gjetë më 5 shkurt, i mbuluar me drunjë e dushk.



