Gjykata Themelore në Gjakovë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit E.H., i cili dyshohet për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Sipas njoftimit të Gjykatës, i pandehuri dyshohet se më 5 korrik 2026, rreth orës 22:30, pas një mosmarrëveshjeje të çastit pranë lokaleve “C.B.” dhe “N’Q.B.” në Rahovec, ka sulmuar me thikë të dëmtuarin F.M., duke i shkaktuar plagë në pjesët vitale të trupit.
Si pasojë e lëndimeve, F.M. fillimisht është trajtuar në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ndërsa më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejmë mjekësor.
Sipas Prokurorisë, në të njëjtin incident i dyshuari ka lënduar edhe E.H., të cilin dyshohet se e ka goditur me thikë në këmbën e djathtë. I lënduari ka marrë trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë.
Gjykata ka bërë të ditur se masa e paraburgimit është caktuar pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, ndërsa procedura penale ndaj të pandehurit do të vazhdojë në përputhje me ligjin.







