Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në forcimin e kornizës ligjore dhe institucionale për ta bërë sistemin e drejtësisë më efektiv në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka bërë të ditur se në një takim me gjyqtarë dhe prokurorë është diskutuar për mbrojtjen e viktimave, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolin e institucioneve të drejtësisë në trajtimin e rasteve të dhunës.
Sipas Gërvallës, këto përpjekje janë pjesë e procesit të hartimit të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore 2027–2031, e cila synon të avancojë koordinimin ndërinstitucional, të forcojë ndjekjen penale dhe gjyqësore, si dhe të sigurojë zbatimin e standardeve të Konventës së Stambollit.
Ajo ka theksuar se gjyqtarët dhe prokurorët kanë rol kyç në mbrojtjen e viktimave, duke vlerësuar se profesionalizmi, paanshmëria dhe reagimi në kohë janë vendimtarë për parandalimin e përsëritjes së dhunës dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi.
Gërvalla ka shtuar se përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional synohet ndërtimi i një sistemi drejtësie që jo vetëm ndëshkon dhunën, por edhe e parandalon atë, duke garantuar trajtim dinjitoz dhe mbrojtje për çdo viktimë./teve1.info/







