Dëshmitarët e masakrës së Saradanit në komunën e Istogut kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila edhe në rigjykim e ka dënuar me 12 vjet burgim Ekrem Bajroviqin, i akuzuar për krime lufte gjatë viteve 1998–1999.
Dëshmitari Naim Elshani e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe ka deklaruar se ende vuan pasojat e torturave të përjetuara gjatë luftës.
“Unë nuk pajtohem me këtë vendim. Ky vendim është qesharak. 12 vite burgim t’i merr një kriminel ku me sytë e mi e pashë në krim, tortura, i përjetova, ku ende sot plagët më kullojnë gjak. Domethënë, është tmerr”, tha Elshani.
Ai shtoi se ndihet i pambrojtur dhe se ka kërkuar vazhdimisht mbrojtje institucionale, por sipas tij nuk i është ofruar.
“Unë nuk kam siguri, nuk kam mbrojtje, çdo ditë kërcënohem… Kam kërkuar mbrojtje nga prokurori, por nuk më është ofruar”, u shpreh ai.
Elshani theksoi se dënimi prej 12 vitesh është i pamjaftueshëm dhe se drejtësia, sipas tij, nuk është vënë në vend.
Edhe dëshmitari tjetër, Ylber Lipa, u shpreh i pakënaqur me vendimin, duke thënë se procesi, ndonëse i zgjatur, nuk ka përmbushur pritjet e dëshmitarëve.
“Pavarësisht zgjatjes së procesit, ne si dëshmitarë jemi të pakënaqur me vendimin. Megjithatë, duhet të kemi besim në gjykatat tona”, tha Lipa.
Ai shtoi se një nga problemet kryesore mbetet mungesa e mbështetjes institucionale për dëshmitarët.
“E keqja e gjithë kësaj është mospërkrahja e dëshmitarëve nga shteti… përballja me pasoja shëndetësore dhe trauma psikologjike është e madhe”, u shpreh ai.
Dëshmitarët kanë theksuar se, pavarësisht pakënaqësive, presin që drejtësia të zbatohet dhe institucionet të forcojnë hetimet dhe mbështetjen për dëshmitarët e rasteve të krimeve të luftës.









