Avokati Gent Gjini ka dorëzuar padi në departamentin civil të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër Dritan Goxhajt, për të sqaruar nëpërmjet rrugëve ligjor nëse ky i fundit ka qen ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo jo.
Sipas Gjinit, çështja lidhet me debatet e fundit publike pas publikimit të një dokumenti nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka ngritur pikëpyetje rreth rolit të Goxhajt në luftën e Kosovës.
“Është figura e Dritan Goxhajt. Pra është një qytetar nga Republika e Shqipërisë dhe është person që ne, popullata shqiptare, në veçanti kryeministri i Republikës së Shqipërisë ka ngritur dyshime mbi fakte se a është në të vërtetë veteran Dritan Goxhaj, pra a i ka shërbyer Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pasi që fjala e kryeministrit Edi Rama ka peshë dhe ka ndikim, konsideroj se vetë mënyrën se si e ka plasuar lajmin kryeministri i vendit për këtë figurë kontroverse, duke plasuar edhe një dokument, se ai dokument a është në autencitetin e saj, a është origjinale dhe a mund të jetë dezertor apo ndoshta edhe veteran i rrejshëm, mua më ka shtyrë si avokat dhe si qytetar”, tha ai.
Gjini ka përmendur edhe reagimet e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, duke thënë se sipas tyre nuk ekzistojnë të dhëna të qarta për frontin apo njësinë ku Goxhaj ka vepruar.
“Veç tjerash kam kuptuar që nuk ka status, nuk ka kartelë të veteranit, nuk është anëtar. Këto janë të gjitha dyshime që na brengosin edhe mua si… unë jam një qytetar pikësëpari, në fillimisht, dhe një njohës i ligjit si avokat, t’i zgjidhim këto, t’i kuptojmë, t’i verifikojmë dhe të mbyllet… të themi këto spekulime. Dhe nëse janë spekulime dhe nëse janë të vërteta, atëherë janë rrugët ligjore, konsekuencat që duhet të bartë përgjegjësinë Dritan Goxhaj”, u shpreh Gjini.
Ai ka theksuar se procesi gjyqësor pritet të sqarojë dokumentet dhe autenticitetin e tyre, përfshirë edhe ato të publikuara më herët nga Rama.







