Policia e Kosovës ka raportuar për tri raste të ndara të armëmbajtjes pa leje, të cilat janë regjistruar më 25 qershor në Obiliq dhe Prishtinë.
Rasti i parë ka ndodhur rreth orës 11:00 në rrugën “Hasan Prishtina” në Obiliq. Gjatë kontrollit të një automjeti, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar një thikë, një shufër hekuri dhe një laser. I dyshuari është intervistuar, ndërsa me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti i dytë është shënuar rreth orës 17:00 në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë. Sipas Policisë, gjatë kontrollit të banesës së një të dyshuari është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 15 fishekë. Edhe në këtë rast, pas intervistimit, prokurori ka urdhëruar që i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, rreth orës 22:30 në rrugën “Fatmir Selmani” në Prishtinë, policia ka arrestuar një person tjetër, i cili dyshohet se gjatë një ahengu familjar kishte shtënë disa herë me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një pistoletë me gaz dhe shtatë gëzhoja.
Pas përfundimit të procedurave fillestare, edhe ky i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet për të tri rastet janë duke vazhduar, ndërsa armët dhe mjetet e sekuestruara do të shërbejnë si prova në procedurat e mëtejshme hetimore.







