Evropa Perëndimore po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit që pritet të thyejë rekorde temperaturash.
Në Francë, 49 departamente janë në alarm të kuq dhe 40 të tjera në alarm portokalli, ndërsa 35 milionë njerëzve u është kërkuar të tregojnë “vigjilencë absolute”.
“Temperatura shumë të larta po vijnë për një kohë të gjatë në të gjithë vendin.Temperaturat e ditës dhe të natës do të jenë të jashtëzakonshme,” tha Meteo-France, citon Guardian.
Temperaturat në Francë mund të arrijnë deri në 43°C në Bordeaux dhe 39°C në Paris. Spanja ka shpallur valën e parë zyrtare të të nxehtit të vitit, me temperatura deri në 44°C, ndërsa një aktivitet publik për ndeshjen e ekipit kombëtar u anulua.
Në Belgjikë, temperaturat pritet të jenë “më të nxehtat e regjistruara ndonjëherë”, sipas institutit kombëtar të motit, duke shkaktuar edhe anulime të disa shërbimeve hekurudhore.
Ndërkohë, në Gjermani u pezullua finalja e Berlin Open për shkak të motit ekstrem.
Edhe Mbretëria e Bashkuar ka lëshuar paralajmërime për “nxehtësi ekstreme”, me temperatura që mund të arrijnë 38°C.
Shkencëtarët paralajmërojnë se, me ngrohjen globale, valët ekstreme të të nxehtit do të bëhen më të shpeshta, më intensive dhe më të gjata.











