Policia e Kosovës ka kryer një bastisje në një kafiteri në Prizren, ku dyshohej se nga lokali shpërndaheshin substanca narkotike. Lokali është në pronësi të dy vëllezërve.
Sipas Policisë, përveç dyshimeve për narkotikë, ekzistonin edhe informacione se në lokal mund të mbaheshin armë zjarri.
Operacioni është realizuar më 17 qershor 2026, rreth orës 20:40, nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN) në Prizren, me asistimin e njësive policore nga stacioni lokal, në bazë të një urdhërese të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren.
Gjatë kontrollit në lokal ka qenë i pranishëm i dyshuari D.P., 29 vjeç. Në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e tipit “SIG” me 9 fishekë.
Policia ka bërë të ditur se gjatë kontrollit nuk janë gjetur substanca narkotike.
I dyshuari është intervistuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.




