Qytetarë të shumtë të shoqëruar nga familjarët dhe fëmijë të mitur janë mbledhur edhe këtë të martë në sheshin “Skëndërbej” ku më pas marshuan drejt Kryeministrisë për të zhvilluar protestën e 17-të kundër ndërtimit në Zvërnec.
Ashtu siç ishte njoftuar grumbullimi i qytetarëve ka nisur në orën 18:00, raportojnë mediat e Shqipërisë.
Ata shihen me pankarta dhe flamuj në duar teksa kanë bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në protestë.
Ata kanë bërë thirrje edhe për administratën që t’iu bashkohen në këtë marshim që vijon prej 17 ditësh.
Gjithashtu është njoftuar se nga e mërkura e 17 qershorit, protesta do të nisë në orën 19:00.
Shtyrja me një orë e nisjes së protestës vjen për shkak të temperaturave të larta.
Protesta, e cila nisi 17 ditë më parë në Tiranë dhe më pas u përhap në qytete të tjera të vendit, si edhe në komunitetet shqiptare jashtë Shqipërisë, paraqitet nga pjesëmarrësit si një reagim ndaj klasës politike që, sipas tyre, ka drejtuar vendin gjatë tre dekadave e gjysmë tranzicion.
Mes shqetësimeve të ngritura prej protestuesve janë korrupsioni, emigrimi masiv i të rinjve, vështirësitë ekonomike, mungesa e besimit te institucionet dhe problemet në shërbimet publike, përfshirë sistemin shëndetësor.
Ndërkohë, organizatorët kanë artikuluar edhe një paralajmërim të ri.
Sipas tyre, data 20 qershor përbën afatin që i është lënë kryeministrit Edi Rama për të dhënë dorëheqjen.
Në të kundërt, ata kanë paralajmëruar “përshkallëzim të protestës”, pa bërë ende publike format konkrete që mund të marrë ky intensifikim.
Një tjetër ndryshim i njoftuar për protestën e sotme është mungesa e fjalimeve nga foltorja.
Sipas organizatorëve, është koha që të rinjtë të marrin një rol edhe më aktiv në drejtimin e lëvizjes dhe në përcaktimin e hapave të saj të ardhshëm.










