Mbrojtësit e të drejtave të njeriut po përballen me sfida në rritje, përfshirë kërcënime, sulme online dhe fushata diskreditimi, ndërsa nevoja për mbështetje dhe mbrojtje të veprimtarisë së tyre mbetet thelbësore për forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Kjo u theksua në Forumin Rajonal të Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut, të organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS).
Drejtoresha ekzekutive e YIHR Kosovë, Marigona Shabiu theksoi se mbrojtësit e të drejtave të njeriut po përballen me sfida në rritje, përfshirë kërcënime, sulme online dhe fushata diskreditimi.
Ajo tha se forumi shërben për avancimin e zbatimit të deklaratës së OKB-së për mbrojtësit e të drejtave të njeriut, duke shprehur shpresën se diskutimet do të sjellin rekomandime konkrete për krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe mbështetës për ta.
“Në një kohë kur puna e mbrojtësve të të drejtave të njeriut është më e rëndësishme se kurrë. Por njëkohësisht, kjo punë përballet me sfida gjithnjë e në rritje. Shumë prej nesh vazhdojmë të përballemi me kërcënime, me sulme online, me fushata diskreditimi dhe presione për shkak të angazhimit tonë. Ky forum është një mundësi e rëndësishme për të shkëmbyer përvoja, për të përforcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të avancuar diskutimin mbi të gjitha për njohjen dhe zbatimin e deklaratës së Kombeve të Bashkuara për mbrojtësit e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shpresoj që diskutimet e sotme të sjellin rekomandime konkrete dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe më mbështetës për të gjithë ata dhe ato që mbrojnë të drejtat e njeriut”, tha ajo.
Zëvendësavokati i Popullit, Niman Hajdari deklaroi se mbrojtësit e të drejtave të njeriut janë thelbësorë për demokracinë dhe duhet të mbështeten e të mbrohen nga institucionet dhe shoqëria.
“Në një shoqëri demokratike mbrojtësit e të drejtave të njeriut luajnë një rol të pazëvendësueshëm në promovimin e dinjitetit njerëzor, barazisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së lirive themelore. Përmes punës së tyre, ata kontribuojnë në identifikimin dhe adresimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut, duke i dhënë zë individëve dhe grupeve që shpesh mbeten të padëgjuar. Megjithatë, në shumë vende mbrojtësit e të drejtave të njeriut vazhdojnë të përballen me sfida, presione dhe forma të ndryshme të kërcënimeve për shkak të angazhimit të tyre. Prandaj është përgjegjësi e institucioneve shtetërore, organizatave dhe shoqërisë në tërësi që të krijojnë një mjedis të sigurt dhe mbështetës për veprimtarinë e tyre. Unë shpresoj që diskutimet e sotme të kontribuojnë në forcimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe në promovimin e një kulture që respekton dhe vlerëson punën e mbrojtësve të të drejtave të njeriut”, tha ai.
Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe Shefi i UNMIK-ut, Peter N. Due theksoi se UNMIK-u është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë dialogun gjithëpërfshirës dhe angazhimin konstruktiv ndërmjet mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe palët tjera.
“UNMIK-u mbetet i zotuar për të mbështetur paqen, stabilitetin dhe ndërtimin e besimit ndërmjet të gjitha komuniteteve. Një shtyllë qendrore e mandatit tonë është mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut. Kjo është thelbësore për ndërtimin e besimit, forcimin e institucioneve dhe nxitjen e një qeverisjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Në këtë kontekst, mbrojtësit e të drejtave të njeriut luajnë, natyrisht, një rol kyç. Përmes avokimit, monitorimit dhe angazhimit tuaj, ju ndihmoni në sigurimin e llogaridhënies, fuqizoni zërat e grupeve në situata të cenueshme dhe të margjinalizuara, si dhe kontribuoni në një qeverisje më transparente dhe më të përgjegjshme. Megjithatë, në mbarë rajonin dhe në nivel global, duhet të shtoj se mbrojtësit e të drejtave të njeriut veprojnë në një mjedis gjithnjë e më kompleks. Edhe pse është arritur përparim i rëndësishëm, sfida të konsiderueshme vazhdojnë të ekzistojnë, përfshirë kërcënimet, frikësimin, stigmatizimin dhe, herë pas here, ngushtimin e hapësirës qytetare”, deklaroi ai.







