Gjatë fjalimit të tij, ai e ka cilësuar Kosovën si një vend me demokraci të qëndrueshme dhe sundimin e ligjit e ka bërë me shpejtësi të madhe.
Madje, ai deklaroi se Kosova disponon një Kushtetutë të fortë, teksa shton se ka ende nevojë për përmirësim në sundimin e ligjit.
“Dua të them se Kosova ka paguar me gjak lirinë e saj. BE dhe SHBA e ndihmuan vendin për të fituar pavarësinë. Ky vend është bërë demokratik, ka sundim të ligjit dhe e ka bërë me shpejtësi të madhe. Është demokraci e qëndrueshme dhe vend me shumëllojshmëri. Po sundimi i ligjit ka nevojë për përmirësim, por ka kushtetutë të fortë. Ky vend është njohur nga 100 vende tjera, përfshirë edhe Izraelin dhe kjo s’bëhej fjalë më parë. Por ky është një vend që ende nuk njihet nga një pakicë e vendeve të BE-së. Ky vend është i vetmi i në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon lirinë e lëvizjes pa viza. Këtij vendi i janë bërë premtime, premtime të cilat nuk janë nderuar. Dhe premtimet janë lënë anash”, shtoi Mandl.
Ai theksoi se qytetarët e Kosovës janë populli më pro-evropian dhe më pro-perëndimor në rajon.
Po ashtu, gjatë fjalimit të tij për Raportin e Parlamentit Evropian, Mandl ritheksoi se “Kosova është demokracia më e re në Evropë”.
Ndryshe, deputetët e Parlamentit Evropian, gjatë seancës plenare që po mbahet të mërkurën e gjashtë korrikut, do të votojnë raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën.
Ky votim pason debatin e zhvilluar të martën e pesë korrikut në PE për këto raporte.
Sa i përket Kosovës, gjatë debatit të së martës, kanë dominuar thirrjet për liberalizimin e vizave.
Po ashtu është bërë thirrje për progres në dialogun Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, gjatë fjalimit të saj, ka mirëpritur qëndrimet e Kosovës lidhur me luftën që po zhvillohet në Ukrainë.
Ajo ka ripërsëritur thirrjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, që sipas saj është zvarritur si proces.
Çka tjetër thuhet në raportin për Kosovë?
Në raportin për Kosovën theksohet se janë përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave qysh në vitin 2018.
Por, akoma nuk është miratuar vendimi për liri të lëvizjes.
Po ashtu, në këtë raport përfshihet edhe përkrahja ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në KiE më 12 maj.
Në raportin e miratuar, deputetët e PE-së kanë theksuar synimin e Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022.
Megjithatë ata kanë theksuar se nuk ka procedurë të shpejtë dhe se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i nevojshëm që Kosova të përparojë drejt rrugës evropiane.
Të dy shtetet fqinje, janë paralajmëruar se është i domosodoshëm zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve të mëparshme.
Përfshirë këtu edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ndërkohë, Kosova është ftuar që të vazhdojë procesin e reformave, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.