Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë gjatë procesit zgjedhor, duke vlerësuar besimin e tyre ndaj vizionit të partisë për një Kosovë të sigurt dhe të zhvilluar.
Në një postim në Facebook, Haradinaj shkroi:
“Kur Sovrani flet, të tjerët heshtin! Mirënjohës ndaj çdo angazhimi tuajin. Falënderues për besimin e dhënë. Ju që i besuat vizionit që patëm për një Kosovë të sigurt e të zhvilluar, ndryshimeve që bëmë, një rreshtimi të ri drejtues dhe sfidave për atdheun e përbashkët.”
Ai theksoi se vota e qytetarëve nuk ishte vetëm mbështetje për Aleancën, por edhe për vazhdimin e betejës së nisur për një Kosovë demokratike dhe të pandashme:
“Vota juaj këtë herë ishte më shumë sesa mbështetje për Aleancën. Ju na dhatë krahë që të vazhdojmë betejën e nisur për Kosovën që duam, të zhvilluar, sovrane e të pandashme, demokratike nga brenda dhe në partneritet të përjetshëm me aleatët, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara.”
Haradinaj nuk la pa përmendur lodhjen e qytetarëve nga zgjedhjet e përsëritura dhe vlerën e votës së tyre:
“E kuptoj lodhjen tuaj nga zgjedhjet e përsëritura, prandaj vota për ne këtë herë ka vlerë të shumëfishtë. Është mirënjohje për çka kemi bërë dhe për ku jemi nisur. Është mirënjohje për listën tonë të shkëlqyer, së cilës kësaj radhe me shumë sukses i priu Ardian Gjini.”
Ish-kryetari i AAK-së garantoi për fokusin dhe vendosmërinë e partisë në realizimin e detyrave të ardhshme:
“Dua t’ju garantoj se pas kësaj beteje elektorale jemi më të fokusuar se asnjëherë, jemi më të vendosur se kurrë që t’i përmbushim detyrat që na presin, gjithmonë në interes të Shtetit e të Kombit!”
Ai gjithashtu uroi qytetarët dhe institucionet për organizimin e zgjedhjeve:
“Po dua të besoj se kanë qenë të lira, të ndershme e demokratike”, tha Haradinaj, duke nënvizuar rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare dhe integritetit të procesit zgjedhor.




