Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se ky subjekt politik ka rikonfirmuar pozicionin e saj përfaqësues në përqindje dhe në numër të deputetëve, pavarësisht asaj që ajo e konsideron një garë të pabarabartë, ku Lëvizja Vetëvendosje ka përdorur blerje masive të votave përmes ndihmave dhe keqpërdorimit të resurseve shtetërore.
Çitaku në një konferencë për media, ka thënë se pushteti i deritashëm i ka lodhur qytetarët me kriza të njëpasnjëshme dhe mospjesëmarrja e qytetarëve “është mesazh politik, që duhet të merret seriozisht, sidomos nga ky pushtet abuziv”.
“Qeverisja e Kurtit prodhoi zhgënjim të madh qytetar, prodhoi kriza të vazhdueshme. Kjo keqqeverisje rezultoi me këtë protestë zgjedhore, sepse mosdalja e rreth 200 mijë votuesve tregon zhgënjim të jashtëzakonshëm qytetar. Gara ishte e pabarabartë dhe sikur mos të bënte blerje masive të votave me qindra miliona euro, me premtime për punësim, kërcënime ndaj punonjësve shtetërorë, me milionë euro për bileta për diasporën dhe keqpërdorim të resurseve shtetërore, ky do të pësonte fiasko politike. Përkundër kësaj gare të pabarabartë, me blerje masive të votave përmes ndihmave, PDK-ja po e rikonfirmon pozicionon e saj përfaqësues, me përqindje dhe me numër të deputetëve”, ka deklaruar ajo.
Ajo bëri të ditur se PDK e pret numërimin e plotë të votave për të bërë publike qëndrimet e saj, duke bërë thirrje që çdo votë të numërohet me kujdes, të ruhet me integritet.
“Ne e presim rezultatin përfundimtar. E presim numërimin e plotë të votave. Dhe, më pas, do t’i bëjmë publike qëndrimet tona. Juve si media ju falënderojmë për raportimin korrekt. Po ashtu, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës i falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë proces zgjedhor. Por, i falënderojmë KQZ-në, komisionerët, vëzhguesit, mediat dhe Policinë e Kosovës për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e tij. Tani është thelbësore që çdo votë të numërohet me kujdes, të ruhet me integritet dhe të respektohet vullneti i qytetarëve”, ka përfunduar Çitaku.
Ndryshe, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, PDK-ja është e dyta me mbi 21 për qind./teve1.info/




