Kandidati për deputet Veton Berisha ka denoncuar në Polici atë që e ka cilësuar si presion ndaj votuesve në fshatin Brestovik të Pejës, duke pretenduar se ministri në detyrë Elbert Krasniqi dhe persona të tjerë kanë qëndruar pranë shtëpive të qytetarëve në orët e hershme të mëngjesit të ditës së zgjedhjeve.
Berisha tha se ka pranuar telefonata nga banorë të fshatit, të cilët sipas tij, janë ndier të shqetësuar dhe nën presion nga prania e personave të panjohur, në mesin e të cilëve pretendon se ishte edhe ministri në detyrë.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit kam marrë disa telefonata ku banorët e fshatit Brestovik të komunës së Pejës kanë shprehur shqetësimin e tyre për shkak që në momentin që janë zgjuar, ose akoma pa u zgjuar disa prej tyre, kanë hasur në persona të cilët për ta, për pjesën më të madhe kanë qenë të panjohur, po në mesin e tyre ka qenë edhe vetë ministri. Edhe sigurisht që këta e kanë paraqitur shqetësimin e tyre për faktin që ata janë ndjerë të, nën presion, edhe në njëfarë mënyre kanë ardhur për herë të parë, duke i detyruar në një formë për të dalë për të votuar edhe normalisht prezenca e tyre ka qenë një situatë tepër e pasigurt”, ka deklaruar Berisha.
Ai shtoi se prania e kandidatëve në zonat ku jetojnë votuesit në ditën e zgjedhjeve është e papranueshme dhe përbën shkelje të rregullave zgjedhore.
Megjithatë, Policia e Kosovës bëri të ditur se pas trajtimit të rastit dhe konsultimeve me prokurorin e shtetit nuk janë gjetur elemente të veprës penale.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi tha se policia ka kontaktuar ankuesin, ka intervistuar dy dëshmitarët e propozuar prej tij dhe ka vepruar në koordinim të plotë me prokurorin.
“Po një rast ka qenë, do të thotë një ankues është paraqitur në stacionin policor në Pejë dhe ka denoncuar një rast për një qytetar në një fshat i cili u bën presion, sipas tij, fshatarëve për të votuar. Policia menjëherë ka dalë në vendngjarje, ka filluar ta trajtojë rastin. Rastin e kanë trajtuar hetuesit rajonalë në koordinim me prokurorin e shtetit. Pas përfundimit të procedurave prokurori ka konstatuar se nuk ka elemente të veprës penale për t’u inicuar rast. Rasti mbetet me shënim zyrtar. Rasti vazhdon të hetohet prapë”, ka thënë Gashi.
Togeri Gashi konfirmoi se tashmë është intervistuar edhe ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Kransiqi dhe denoncuesi i rastit, Veton Berisha si dhe dëshmitarët e rastit.
Ndërkaq, lidhur me raportimet për vendosjen e një flamuri serb në qendrën e votimit në Gorazhdec, Policia për Rajonin e Pejës konfirmuan se flamuri ka qenë i vendosur, por është larguar nga stafi i shkollës brenda një kohe të shkurtër dhe jo nga zyrtarët policorë.










