KQZ njoftoi se votimi në shumicën e përfaqësive diplomatike të Kosovës ka përfunduar me sukses dhe pjesëmarrja e diasporës ka kaluar 80%.
Sipas zëdhënësit Valmir Elezi, janë mbyllur 26 përfaqësi në 16 shtete, ndërsa disa të tjera në SHBA dhe Kanada përfundojnë më vonë. Në total, nga rreth 27,724 votues të regjistruar, kanë votuar mbi 22,000 qytetarë.
Elezi tha se procesi ka shkuar pa probleme dhe nën monitorim të vazhdueshëm të KQZ-së. Fletëvotimet nuk numërohen jashtë vendit, por transportohen në Kosovë për numërim në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Ju njoftojmë se deri në këtë kohë ka përfunduar votimi në 26 përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës, të cilat ndodhen në 16 shtete si: Turqi, Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republika Çeke, Hungari dhe Mbretëri e Bashkuar. Sipas kohës lokale në Kosovë, në orën 1:15 do të përfundojë votimi në katër përfaqësi tjera diplomatike, të cilat ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Pas përfundimit të votimit edhe në këto dy vende, do të kemi një njoftim me shkrim”, tha Elezi.
Të dielën pritet të mbahet votimi edhe brenda Kosovës.







