Rruga drejt Dobërdolanit, këtë të premte nuk ishte si zakonisht.
Në 28-vjetorin e daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ky fshat i Suharekës u bë vendtakim i veteranëve e familjarëve të dëshmorëve.
Në këtë përvjetor, atje po inaguruohej “Kulla e Lirisë”.
Me prerjen simbolike të shiritit, objekti u shpall zyrtarisht i hapur.
Në ceremoni u kujtua roli që ky fshat pati në organizimin dhe veprimtarinë e lëvizjes kombëtare për liri.
“Në këtë fshat u strehuan dhe vepruan shumë veprimtarë të çështjes kombëtare, duke mbajtur gjallë idealin e lirisë dhe të çlirimit”, tregoi veterani Nexhat Cikaqi.
“Jam shumë i sigurt që gjithë prej neve do të gjejmë nga një pjesë në këtë kullë, sepse kulla gjithmonë ka qenë simbol i traditës, simbol i edukimit, por mbi të gjitha, simbol i qëndresës së kombit shqiptar”, tha komandanti i Brigadës, Gezim Hazrolli.
Sipas komandanit të Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së, Kulla e Lirisë është një monument mirënjohjeje për dëshmorët e luftëtarët.
“Në themelet e kësaj kulle janë gjaku i dëshmorëve, atyre që sot na mungojnë. Për shumë kohë, kjo ngjarje i ka munguar fshatit tonë, por më në fund ne e kemi”, tha komandanti i Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së, Enver Cikaqi.
Disa fjalë i patën edhe ish komandantët Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj.
“Nuk ka qenë e lehtë me e mbajtë barrën e luftës në ato situata të rënda, po ju jemi mirënjohës për luftën e juaj, ju jemi mirënjohës për sakrificën e juaj”, tha ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj.
“Ne i kujtojmë me gjithë nderin dhe respektin të gjithë atyre prindërve, grave e burrave të këtij fshati, që nuk kursyen asgjë për të strehuar, ushqyer, veshur e mbathur qindra ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës anë e kënd Kosovës”, tregoi kryetari i Nismas, Fatmir Limaj.
Në këtë ceromoni mori pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, i cili tha se kjo kullë përfaqëson simbolikën e qëndresës.
“Kjo kullë në fakt nuk është një vetëm thjesht një objekt memorial. Ajo është një simbol i qëndresës, i sakrificës, i idealit për liri për të cilin shumë bij dhe bija të Kosovës dhanë gjithçka”, tha Malaj.
I pranishëm ishte edhe kryetari i Suharekës Bali Muharremaj, i cili tha se Dobërdolani pasur një rol të rëndësishëm në veprimtarinë kombëtare ndër vite.
Kjo Kullë, është e gjashta e ndërtuar në këtë zonë dhe, sipas organizatorëve, synon të mbajë gjallë kujtesën për luftën çlirimtare.






