Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka shqiptuar një gjobë prej 5 mijë eurosh Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për shkak të përfshirjes së një fëmije në një aktivitet të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit.
Vendimi lidhet me një tubim të mbajtur më 3 qershor në Viti, ku gjatë fjalimit të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në skenë ishte paraqitur edhe një fëmijë që mbante flamurin e partisë.
Sipas PZAP-së, ky veprim bie ndesh me rregullat zgjedhore që ndalojnë angazhimin e personave nën moshën 15-vjeçare në aktivitete të fushatës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është gjobitur me 5,000 euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për shkak të pjesëmarrjes së fëmijëve në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit”, thuhet në vendim.
Kjo nuk është hera e parë që PZAP-ja reagon ndaj përfshirjes së të miturve në fushatë. Ditë më parë, edhe Lëvizja Vetëvendosje ishte ndëshkuar për një shkelje të ngjashme.
Ndërkohë, PZAP ka bërë të ditur se aktualisht është duke shqyrtuar gjithsej gjashtë ankesa që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e fëmijëve në aktivitete zgjedhore të subjekteve politike.







