Një person në kërkim prej disa vitesh dyshohet se ka vrarë një efektiv policie dhe ka plagosur një tjetër gjatë një operacioni policor në fshatin Podenë, në Bashkinë Maliq.
Sipas informacioneve paraprake, pas sinjalizimeve se i kërkuari fshihej në zonë, agjentë të Policisë së Korçës janë nisur drejt Podenës për ta arrestuar. Gjatë ndërhyrjes, i dyshuari ka hapur zjarr ndaj forcave të policisë, duke lënë të vdekur një efektiv të forcave “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe duke plagosur kolegun e tij, shkruan Euronews.al.
Burime bëjnë me dije se autori i dyshuar është Violand Braçellari, ish-ushtarak, i shpallur në kërkim nga Policia e Vlorës. Ai kishte edhe një vendim gjykate për çështje të lidhura me lëndët narkotike.
Sipas të njëjtave burime, Braçellari dyshohet se jetonte prej vitesh në pyjet e Podenës, ku kishte ngritur një stan të madh dhe mbante disa qen. Një ditë më parë, policia kishte marrë informacion se ai ndodhej i fshehur në këtë zonë të thellë malore.
Mësohet se i dyshuari konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë dhe njohës shumë i mirë i armëve. Në operacion kanë marrë pjesë rreth 7-8 efektivë policie, disa prej të cilëve të veshur civilë. Dyshohet se ai i ka identifikuar forcat e policisë gjatë natës, rreth orës 03:00-04:00 të mëngjesit të së enjtes, dhe më pas ka qëlluar në drejtim të tyre.
Pas shkëmbimit të zjarrit, autoritetet dyshohet se kanë arritur ta neutralizojnë të plagosur, ndërsa zona është rrethuar nga forca të shumta policie dhe drejtues të lartë të Policisë së Korçës kanë shkuar në vendngjarje për hetimet.
Hetimet po vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e operacionit, mënyrën se si u zbulua vendndodhja e të kërkuarit dhe dinamikën e saktë të përplasjes me armë ndërkohë që efektivi i plagosur pritet të transportohet me helikopter drejt Tiranës.
Ndërkohë, euronews.al raporton se drejt vendit të ngjarjes janë nisur forca të shumta policore, si edhe drejtori i Policisë së Korçës.
Podena është një zonë e largët dhe e braktisur, ku lëvizja dhe ndërhyrja e forcave të rendit paraqet vështirësi për shkak të terrenit të vështirë.




