Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se institucionet janë duke vlerësuar dhe procesuar pagesat e orëve shtesë për zyrtarët policorë, ndërsa po punohet edhe për një sistem më efikas të menaxhimit të tyre.
“Është realisht një proces i vlerësimit të orëve shtesë. Tashmë, jemi në proces që orët shtesë të paguhen. Realisht ne po punojmë në dizajnim të sistemit sa më të mirë, në mënyrë që askujt as mos t’i humbët as mundi, as angazhimi, por edhe buxheti i Policisë së Kosovës të orientohet drejt investimeve kryesisht kapitale, por edhe shpenzimeve”, u shpreh ai.
Sfeçla tha se Qeveria ka pasur vazhdimisht fokus në përmirësimin e kushteve për Policinë e Kosovës dhe theksoi se gjatë mandatit të tij çdo orë shtesë është kompensuar.
“Nuk ekziston asnjë qeveri e Kosovës që nuk ka punuar për kushtet e Policisë së Kosovës. Ne kemi pasur fokus, bile jemi kritikuar nga kundërshtarët se jemi tepër të fokusuar në këtë. Nuk është tepër, por duhet në bazë të rrethanave ta maksimalizojmë angazhimin tonë në këtë drejtim. Prej se jam unë ministër asnjë orë shtesë nuk ka mbetur pa u paguar”, tha Sfeçla.
Xhelal Sfeçla, reagoi po ashtu ndaj debateve të fundit rreth Ligjit për Shtetësinë e Republikës së Kosovës, duke thënë se neni 31 i këtij ligji nuk përbën dispozitë të re dhe se ky nen është pjesë e dispozitave themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Në konferencë për media Sfeçla tha se dispozita në fjalë buron nga Pakoja e Ahtisaarit dhe është e sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.







