Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka zhvilluar një takim me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ku në fokus të bisedës kanë qenë zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe sfidat që e presin vendin në periudhën e ardhshme.
Sipas Hamzës, një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte rëndësia e krijimit të institucioneve të qëndrueshme dhe efikase, të cilat do të garantonin funksionimin normal të shtetit dhe adresimin e nevojave të qytetarëve.
Ai vlerësoi rolin e Shqipërisë në mbështetjen e Kosovës në proceset ndërkombëtare, duke theksuar se diplomacia shqiptare ka qenë vazhdimisht në krah të interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Kënaqësi të takoja sot Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha. Diskutuam për zhvillimet politike në Kosovë, zgjedhjet e ardhshme dhe rëndësinë që vendi të ketë institucione stabile, funksionale dhe me fokus te interesat e qytetarëve. Ministri Hoxha gjithmonë ka qenë edhe ‘diplomat i Kosovës’, në çdo detyrë që ka shërbyer dhe në çdo forum ndërkombëtar ku ka folur”, ka shkruar Hamza.







