Punimet për shtrimin e rrugës kanë filluar.
Megjithatë, mënyra e realizimit të projektit ka nxitur pakënaqësi te banorët e fshatit Koshare në Ferizaj.
Ata pretendojnë se punimet po zhvillohen me mangësi.
Mospajtimet e banorëve me realizimin e projektit i ka ngritur përfaqësuesi i fshatit dhe njëherësh anëtari i Kuvendit Komunal në Ferizaj, Amir Rexhepi.
“Ankesat e banorëve kanë të bëjnë me realizimin e projektit, sepse ky projekt është realizu pa mbikqyrje nga organi mbikqyrës dhe sot ne kemi dal që këto ankesa t’i adresojmë te ministri pasi që financues i këtij projekti është Ministria. Si banorë ne kemi kërkuar nga ministri që këto punime shkel e shko mos të lejohen në këtë formë”, thotë Rexhepi.
I pranishëm të shtunën aty ishte edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha.
Mirëpo ai tha se banorët duhet t’i adresojnë shqetësimet te komuna e Ferizajt.
“Projekti është i realizuar edhe i projektuar nga Komuna, ka ankesa nga banorët e kësaj ane, për shkak të pamjaftueshmërisë së gjerësisë së rrugës po ka edhe ankesa tjera sidomos për brezin rrugor, por ne do t’i adresojmë ato brenda Ministrisë, por meqenëse Komuna e ka bo projektin edhe është komplet përgjegjëse për realizimin ata duhet t’i mbajnë përgjegjësitë”, tha Basha.
I gjithë diskutimi rreth rrugës nuk përfundoi këtu.
Një përplasje verbale pati mes Rexhepit e pronarit të kompanisë që po kryen punimet.
Se çfarë ndodhi më pastaj, detaje dhanë nga Policia e Kosovës.
“Në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit. Pas pas intervistimit të palëve nga hetuesit rajonal me vendim të prokurorit është hapur ‘Shënim zyrtar’”, thuhet nga Policia e Kosovës.
E gjatë qëndrimit të teve1 në vendin e ngjarjes është parë edhe menaxheri për realizimin e projektit, por ky i fundit refuzoi që të flasë para kamere.
Gjithashtu, televizioni ka tentuar gjatë ditës që të marrë edhe një qëndrim nga komuna e Ferizajt lidhur me projektin në fjalë, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.



