Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, ka organizuar Forumin 2026 me temën “Integriteti Zgjedhor përballë Kërcënimeve Hibride: Implikimet e Sigurisë nga Ndërhyrja e Huaj”, ku ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë diskutuan për rreziqet që paraqesin ndërhyrjet hibride dhe dezinformimi në proceset zgjedhore.
Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, tha se rastet e fundit në Evropë kanë dëshmuar pasojat serioze të ndërhyrjeve hibride dhe rëndësinë e masave parandaluese.
“Përmes presionit, frikësimit, varësisë ekonomike dhe manipulimit informativ, Serbia po i mban peng serbët e Kosovës duke i përdorur ata si armë për qëllimet politike dhe interesat klienteliste të Vuçiqit. Thirrjet për ta votuar Listën Serbe si garancia e vetme për mbijetesën e serbëve në Kosovë, jo vetëm që e vërtetojnë rolin e saj si instrument politik i Beogradit apo qasjen minuese ndaj sovranitetit të Kosovës, por edhe angazhimin shtetëror kundër të drejtës së qytetarëve serbë për zgjedhje të lira dhe përfaqësim demokratik. Prandaj, neutralizimi i ndërhyrjeve të Serbisë në proceset zgjedhore të Kosovës nuk është vetëm detyrë në shërbim të interesave të vendit, por edhe një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe mbrojtjen e vlerave fondamentale evropiane. Në kontekstin e vlimeve aktuale gjeopolitike, kjo detyrë kërkon maturi institucionale, transparencë demokratike dhe argumentim sistematik ndaj partnerëve ndërkombëtarë, duke e trajtuar ndërhyrjen e Serbisë jo vetëm si çështje të sigurisë kombëtare, por edhe si kërcënim ndaj integritetit të proceseve demokratike në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ai.
Në sesionin e parë të forumit, ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, deklaroi se zgjedhjet janë proces kompleks që kërkon kujdes të shtuar edhe në aspektin e sigurisë gjatë organizimit.
“Ka pas ndërhyrje të llojllojshme nga shteti i fqinj, nga Serbia. Po, KQZ-ja gjithmonë është përballë me tentativa nga shteti i Serbisë për ndërhyrje gjatë organizimit të zgjedhjeve, e sidomos në pjesën veriore. Këto ndërhyrje kanë qenë të llojllojshme, duke filluar nga vet Lista Srpska, e cila ka qenë bartëse e tentativës së Serbisë që të ndërhyjë në zgjedhje, dhe atë duke tentuar që kandidatët të cilët kanë marrë pjesë të manipulohen dhe të drejtohen drejtpërsëdrejti nga Serbia. Sidomos ka qenë shqetësuese edhe për Komisionin Qendror Zgjedhor, por edhe për të gjitha organet e sigurisë në Kosovë në atë kohë, ndërhyrja te kandidatët të cilët kanë qenë të partive të tjera. Pra, të gjithë ata të cilët kanë tentuar që ta përfaqësojnë popullatën e veriut apo popullatën serbe në Kosovë me ndonjë përfaqësim tjetër përveç nga Lista Serbe kanë qenë të kërcënuar, kanë qenë të në lloj-lloj forma. Janë larguar nga puna, sepse ata kanë punuar edhe nëpër punët nëpër institucionet paralele të cilat kanë ekzistuar në atë kohë, janë larguar nga puna, u kanë ndërprerë të gjitha pagesat, janë kërcënuar familjet e tyre”, tha ajo.
Sipas saj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është përballur vazhdimisht me tentativa ndërhyrjeje nga Serbia, sidomos në veri të Kosovës.
“Ka raste që kemi pas ndërhyrje dhe atë në sistemin e sigurisë apo në sistemin i cili ka transmetuar rezultatet. Nëse nuk më ka, nëse nuk e kam harruar, më duket që ka qenë viti 2017 kur ka rënë sistemi dhe atë ka qenë, është konstatuar në njëfarë forme që ka qenë një sulm kibernetik nga grupe të ndryshme. Është, nuk na është treguar më saktësisht, po është dyshuar që kanë qenë grupe nga Rusia të cilat kanë sulmuar sistemin me të cilin janë transmetuar rezultatet dhe ai sistem nuk ka funksionuar. Pra, janë shtrembëruar rezultatet dhe është ndërprerë transmetimi i i rezultateve. Ka ndodh me sa më kujtohet edhe në vitin 2025, edhe pse unë nuk kam qenë pjesë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, po megjithatë publiku tashmë e din, e kemi parë live kur sistemi i transmetimit të rezultateve ka rënë dhe është thënë se ka pas një sulm kibernetik. Pra, Kosova jo rastësisht është cak apo objektiv i këtyre sulmeve, dhe kjo në pjesën më të rëndësishme apo fundamentin e demokracisë, e ato janë zgjedhjet”, u shpreh ajo.
Daka tha se shqetësuese kanë qenë edhe presionet ndaj kandidatëve serbë që nuk kanë qenë pjesë e Listës Serbe.
Nga Policia e Kosovës, Vëllaznim Sordolli tha se policia është duke ndërmarrë veprime konkrete për t’u përballur me sfidat e sigurisë zgjedhore.
“Lufta hibride është në mesin tonë. Edhe si institucion i sigurisë, Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprimet e duhura, siç është me përgatit stafin për për sfidat e reja. Me ç’rast kemi edhe rastet e e fundit, po e ndërlidhi me me temën e caktuar, në Graçanicë arrestimin e disa zyrtarëve komunalë të cilët e kanë përdorur, e kanë përdorur aspektin ekonomiko-social edhe të presionit në punonjësit e tyre duke u duke u dhënë vendime për për largimin nga nga nga puna. Kjo është njëra prej prej metodave të luftës hibride. Po jemi koshient, koshient që sfidat veç po po rriten edhe edhe Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprimet e duhura nga menaxhmenti i lartë për për trajnimin edhe aftësimin e personelit për me u përballë me me gjëra të tilla”, u shpreh ai
Ndërkaq, eksperti nga Hibrid.info, Festim Rizanaj, foli për narrativat dezinformuese gjatë fushatave zgjedhore.
“Narrativa i deklarojnë ose në njëfarë forme i i përfshin në diskutimin publik përfaqësues ose zyrtarë kryesorë, domethënë institucionalë në në Serbi. Këtu protagonisti kryesor është Petar Petkoviq, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Njëkohësisht me këto narrativa merret edhe Danijela Nikoliq, që është kryetare e Komitetit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë. Domethënë, tjetër është kryetari i Komisionit për të Pagjeturit, domethënë që i krijon këto narrativa, është Velko Odaloviq. Njëkohësisht edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Milovan Drecun, kryetari i Partisë Progresiste Serbe, Vuçeviq, e ka domethënë në bazë të praktikave të mëhershme pritet që edhe presidenti i Serbisë të njëjtat narrativa të gjatë fushatës t’i t’i amplifikojë, dhe zyrtarë të tjerë serbë domethënë në nivelet më të larta. E ajo forma që që këto narrativa qarkullojnë është se zhvillohen intervista me ta, domethënë edhe këto qarkullojnë agjencitë e lajmeve si Tanjug, pastaj amplifikohen në në gazetat si Informer, Večernje Novosti. Po ashtu edhe në mediat në gjuhën serbe që veprojnë në Kosovë, ku protagonisti kryesor është Kosovo Online. Më e keqja është se Kosovo Online përmbajtjet e tyre i përkthen edhe në shqip, që këto narrativa të depërtojnë edhe në shqip, edhe pse targeti kryesor mbetet komuniteti serb në në Kosovë. Po ashtu, një e e keqe e kësaj është se këto narrativa në serbisht mundën me ndiku edhe në sferën digjitale, që gjatë kërkimeve të bëra domethënë në Google rreth zgjedhjeve në Kosovë, këto narrativa në serbisht depërtojnë në këtë sferë digjitale edhe e implikojnë ose ndikojnë edhe në inteligjencën artificiale, nëse mundemi me quajt. Për shkak se nëse bëhen kërkime të tilla në Google, dhe Google e jep një lloj përmbledhje me AI Overvieë që njihet, nëse bëhet kërkimi në serbisht, duke iu referuar këtyre citimeve, këtyre referencave, këto amplifikohen. Po ashtu edhe mundën me depërtu edhe në chatbot-et e ndryshme duke filluar nga ChatGPT, DeepSeek e të tjerë”, tha ai.
Sipas tij, një pjesë e narrativave lidhen me pretendimet për “terror institucional”, “arrestime politike”, manipulim të procesit zgjedhor dhe ndikimin e votës së diasporës në rezultatet zgjedhore.
Për sinkronizimin ruso-serb në ndërhyrjet zgjedhore foli edhe Dr. Iryna Synelnyk, e cila tha se ndërhyrja ruse në zgjedhje është strategji afatgjatë që synon dëmtimin e demokracisë përmes dezinformimit dhe implikimit në proceset zgjedhore.
“Ka një probabilitet të lartë që Serbia do të përpiqet të ndikojë në zgjedhjet në Kosovë me metoda të cilat kanë pasur sukses në përpjekjet e ruse për të ndikuar në vende të ndryshme. Ndaj është shumë e rëndësishme që të punojmë të gjithë së bashku kundër këtyre sulmeve. Dhe është po ashtu shumë me rëndësi që të bëhet vetëdijesimi, ndërgjegjësimi i shoqërisë për këto përpjekje që përpiqen të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve”, tha ajo.
Sipas saj, institucionet duhet të punojnë më shumë për parandalimin e këtyre sulmeve dhe për vetëdijesimin e qytetarëve lidhur me kërcënimet hibride.








