Gjykimi për Masakrën e Reçakut do të nisë më 20 korrik në ora 10:00 në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Lajmi është konfirmuar për RTK nga zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
Sipas aktakuzës së siguruar nga RTK, e ngritur më 31 dhjetor 2025 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, 21 persona akuzohen për krime lufte të kryera gjatë viteve 1998-1999 në fshatin Reçak.
Aktakuza i ngarkon të pandehurit, si pjesëtarë të forcave ushtarake dhe policore serbe, për vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë dhe dëbim të popullatës civile shqiptare. Sipas prokurorisë, këto krime janë kryer në bashkëkryerje dhe në kuadër të përgjegjësisë komanduese.
Ngjarjet kulmojnë më 15 janar 1999, kur rreth orës 06:00 të mëngjesit, forcat serbe rrethuan dhe granatuan fshatin Reçak nga distanca, për të vijuar më pas me operacione tokësore, duke hyrë me automjete të blinduara dhe duke kontrolluar shtëpi për shtëpi.
Sipas aktakuzës, gjatë këtij operacioni u vranë mizorisht 42 civilë shqiptarë të pambrojtur, të moshave dhe gjinive të ndryshme. Civilët u ndanë, u torturuan dhe një pjesë e tyre u ekzekutuan në zonën e njohur si “Kodra e Bebushit”.
Po ashtu, dokumenti përshkruan raste të shumta të vrasjeve individuale në lokacione të ndryshme të fshatit, si dhe plagosje të civilëve gjatë përpjekjeve për t’u larguar.
Aktakuza përfshin edhe trajtimin çnjerëzor të rreth 30 civilëve, të cilët u rrahën dhe u detyruan të marshonin drejt zonave malore, ku disa prej tyre u ekzekutuan.
Në të njëjtën kohë, forcat serbe shkatërruan shtëpi dhe pasuri, ndërsa rreth 20 mijë civilë nga Reçaku dhe fshatrat përreth u dëbuan me forcë nga vendbanimet e tyre.
Prokuroria Speciale ka propozuar që gjykimi të zhvillohet në mungesë, pasi të akuzuarit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë së Kosovës.
Pas 27 vjetësh nga kjo ngjarje, një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë pritet të marrë epilog gjyqësor.









