Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se qindra shtetas të Serbisë, të cilët jetojnë ose punojnë në Kosovë, kanë aplikuar për marrjen e shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Në një konferencë për media së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Sveçla ka thënë se të gjitha aplikimet janë duke u shqyrtuar dhe verifikuar individualisht nga institucionet përgjegjëse.
“Ka pasur me qindra aplikime të shtetasve të Serbisë të cilët jetojnë apo punojnë përkohësisht në Republikën e Kosovës dhe të gjitha ato janë duke u verifikuar individualisht. Në momentin që përmbushen kërkesat ligjore dhe procedurat e parapara, do të vazhdohet me fazat e tjera”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka theksuar se procesi lidhet me zbatimin e ligjit për të huajt dhe procedurat e reja administrative të miratuara nga institucionet e Kosovës.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë Albin Kurti është shprehur se iniciativa ka marrë mbështetje të gjerë si nga qytetarët, ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, duhet të integrohen dhe të pajisen me dokumente. Kemi krijuar një periudhë prej tre muajsh për aplikim dhe kemi marrë vlerësimet më të larta si nga qytetarët brenda vendit, ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar për mundësinë që kemi krijuar”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, dy akte ligjore që rregullojnë qëndrimin e shtetasve të huaj dhe përdorimin e automjeteve me targa të huaja në territorin e vendit.
Ndërkohë, për të lehtësuar situatën për komunitetin serb, qeveria ka vendosur që personave që nuk posedojnë dokumente të Kosovës t’u lëshohet leje e përkohshme qëndrimi për 12 muaj. Po ashtu, për një periudhë të caktuar do të njihen edhe kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.
Sipas Ligjit për të Huajt, çdo person që hyn në Kosovë dhe nuk ka dokumente të vendit duhet të aplikojë për leje qëndrimi brenda 72 orëve. Shtetasit e huaj mund të qëndrojnë deri në 90 ditë, ndërsa për një qëndrim më të gjatë kërkohet pajisja me leje qëndrimi.
Ndërkohë, Ligji për Automjetet përcakton se një automjet me targa të huaja nuk mund të qarkullojë në Kosovë për më shumë se tre muaj pa autorizim të veçantë.
Në rast të shkeljes së këtij rregulli, policia mund të vendosë gjobë deri në 200 euro./teve1.info/




