Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka deklaruar se prioritetet kryesore të kësaj partie në zgjedhjet e 7 qershorit mbeten siguria dhe mirëqenia sociale, duke theksuar se programi i ri nuk dallon shumë nga ai i zgjedhjeve të fundit për shkak të periudhës së shkurtër qeverisëse dhe krizave politike që, sipas tij, penguan realizimin e zotimeve të bëra vitin e kaluar.
Abrashi në “Intervista Zgjedhore” të KosovaPress tha se Lëvizja Vetëvendosje synon të vazhdojë investimet në mekanizmat e sigurisë dhe në forcimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës.
“Nuk është se ka ndonjë kështu dallim të madh sa i përket zgjedhjeve të fundit për shkak se, siç e dini, koha ishte shumë e shkurtër për me filluar qeveria e re punën dhe shumë zotime të cilat ne i patëm bërë në zgjedhjet e 14 shkurtit, patën mbetur pa u realizuar marrë parasysh faktin e bllokadës së shkaktuar tek çështja e zgjedhjes së presidentit. Pa dyshim që prioritetet tona kryesore lidhen me sigurinë, pra investimet në mekanizmat e sigurisë në Kosovë që kanë të bëjnë me zbatimin e rendit dhe ligjit në të gjitha territoret e Republikës së Kosovës, por edhe tek pjesa e mirëqenies sociale sepse konsiderojmë që shteti si mekanizëm, gjithmonë ne jemi thirrur te kjo ide, në qoftë se taksat, mjetet që i mbledh i grumbullon, nuk i kthen si shërbime më të mira për qytetarët dhe mbështetje për ata që më së shumti kanë nevojë, atëherë cila është edhe ideja e shtetit… 05:26 Shiko, me përmbledhje të shkurtër edhe si me thënë, sinonimi ynë për këto zgjedhje është ‘shteti për krejt dhe krejt për shtet’. Synojmë që të bëjmë një binom mes qytetarit dhe shtetit. Çfarë i bie kjo? Që një qytetar i cili kontribuon për shtetin e Kosovës, po ashtu shteti duhet t’i kthejë përkujdesje për qytetarët”, deklaroi ai.
Duke folur për rezultatin që partia e tij e pret më 7 qershor, Abrashi u shpreh i bindur se LVV-ja do të dalë fituese në zgjedhje, madje duke tejkaluar rezultatin e 28 dhjetorit të vitit të kaluar prej 51.1 për qind.
“Kam dëgjuar se janë duke u bërë sondazhet, por nuk kam diçka konkrete. Besoj se LVV-ja del fituese bindshëm, përqindje nuk mund të spekuloj, por në LVV kemi synimin të tejkalojmë rezultatin e 28 dhjetorit të vitit të kaluar. Synojmë të kemi një rezultat të mirë dhe ndërkohë ata e dinë se gara është për vendin e dytë”, shtoi Abrashi.
Abrashi kritikoi partitë e ish-opozitës, duke thënë se ato nuk kanë arritur të ndërtojnë alternativë politike apo program që do të fitonte mbështetje të qytetarëve.
Ai shtoi se opozita ka dështuar edhe në përpjekjet për ta fajësuar Vetëvendosjen për krizën politike dhe zgjedhjet e parakohshme, duke vlerësuar se qytetarët e kanë parë seriozitetin e partisë në tejkalimin e situatës.
“Opozita nuk ka arritur me ndërtu një alternativë. Nuk kanë asnjë vizion, asnjë program. Kryesisht gjuha e tyre bazohet në akuza, e jo në shprehjen e ndonjë alternative që e rregullon jetën e qytetarit. Po ashtu kanë dështuar edhe me krijuar narrativën qysh kanë menduar se do të kenë sukses për bartjen e fajit për çështjen e dështimit të zgjedhjes së presidentit dhe zgjedhjeve të parakohshme. Qytetarët e Kosovës kanë qenë të vetëdijshëm në përpjekjen tonë, e kanë parë se sa seriozisht e kemi ne për ta kaluar këtë krizë. I kemi lutur për një vit që t’i kapërcejmë këto kriza, pavarësisht se në fund të fundit ata nuk po e dëmtojnë Vetëvendosjen, çdo palë zgjedhje Vetëvendosja ka rritje…
Abrashi komentoi edhe rikthimin e ish-presidentes Vjosa Osmani në LDK, duke e akuzuar atë për vendosje të ambicieve personale para interesit shtetëror. Sipas tij, takimet e saj në terren tregojnë se nuk pritet të ketë ndonjë efekt negativ përsa i përket mbështetjes së qytetarëve për LVV-në.
Abrashi për Osmanin: I urojmë suksese…por me 13 për qind nuk mundesh me u bë presidente
“Nuk mund t’i vësh ambiciet personale para interesave të shtetit të Kosovës. Ose thjesht mos e konsidero faktin e mbështetjes që të kemi dhënë ne si diçka të mirëqenë, pasi nuk varet vetëm prej neve. Në subjektin ku është rikthyer pikërisht ka qenë arsyeja që është pamundësuar kandidatura e saj… LDK në zgjedhjet e fundit kishte rreth 13%. Rikthimi i ish-presidentes me një subjekt që i ka 13% nuk besoj se është realiste të projektohet pozita e presidentit nga ai vend. I urojmë suksese, është e drejta e saj, por me 13 për qind nuk mundesh me u bë president… 17:44 Takimet në terren po na dëshmojnë që kjo nuk do të lërë shenjë fare. Qytetarët nuk e duan pabesinë dhe lojërat politike. Nëse dëshiron me marrë mbështetjen e tyre, duhet me pas një shërbim të mirë, kauzë të drejtë dhe kritika me u bazu në argumente dhe jo inate politike”, përfundon ai.







