Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit është 2 milionë e 92 mijë e 174 votues.
Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi. Ai tha se në këto zgjedhje janë mbi 15 mijë votues më shumë në listën e votuesve.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën e votuesve, e cila pra do të përdoret për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas të dhënave nga lista e votuesve, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2 milionë e 92 mijë e 174 votues, çka do të thotë se kjo listë përmban 15 mijë e 884 votues më shumë se lista e votuesve e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor të vitit të kaluar”, tha Elezi.
Sipas tij, nga numri i përgjithshëm i votuesve, 1 milion e 959 mijë e 962 qytetarë do të votojnë në vendvotime në Kosovë, ndërsa 132 mijë e 212 shtetas janë regjistruar për votim jashtë vendit.
“Sipas të dhënave nga lista e votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, pra në Republikën e Kosovës me datë 7 qershor është 1 milion e 959 mijë e 962 votues, ndërkaq numri i shtetasve të Kosovës, të cilët janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës është 132 mijë e 212 votues. Nga ky numër i votuesve jashtë Kosovës, 100 mijë e 970 janë regjistruar për të votuar duke dërguar pakon me fletëvotim në adresë të kutisë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, pastaj pjesa tjetër 3 mijë e 518 për të dërguar pakon me fletëvotim në adresë të kutisë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 27 mijë e 724 votues apo shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi të diplomatike”, tha ai.
Ai njoftoi gjithashtu se 22 mijë e 685 qytetarë do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Numri i votuesve, të cilët do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës është 22 mijë e 685 votues, prej të cilëve 16 mijë e 934 janë votues që konsiderohen të rinj, pra që pas zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës të datës 28 dhjetor kanë arritur moshën 18-vjeçare, pra që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e radhës të datës 7 qershor dhe 5 mijë e 751 votues të tjerë, të cilët konsiderohen të regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil mes dy palë zgjedhjesh ose janë votues që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës”, tha Elezi.
Lidhur me organizimin e procesit zgjedhor, ai theksoi se votimi brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra votimi me gjithsej 2 mijë e 550 vendvotime.
“Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 550 vendvotime, prej të cilave 911 janë qendra me 2 mijë e 498 vendvotime për votimin e rregullt, ndërkaq në çdo komunë do të kemi nga një qendër votimi, pra gjithsej 38 me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht. Ndërkaq procesi zgjedhor jashtë vendit, përveç votimit do të thotë me postë, do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 janë ambasada dhe 13 konsullata me gjithsej 47 vendvotime.”, tha ai.
Votimi me postë nga jashtë vendit që ka filluar nga 21 maji do të zgjasë deri më 6 qershor.
Votimi nga jashtë vendit në ambasada dhe konsullata është më 6 qershor.
Ndërsa, zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të mbahen më 7 qershor.






