Para Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është zhvilluar një protestë nga banorët e Rugovës dhe Pejës, të cilët kundërshtuan vendimin për ndalimin e mallrave dhe shërbimeve ndërtimore në Rugovë.
Sipas protestuesve, kjo masë po shkakton vështirësi për qytetarët dhe po pengon zhvillimin ekonomik të kësaj zone.
Ata i bënë thirrje institucioneve që ta rishikojnë sa më parë vendimin dhe të mundësojnë vazhdimin e punimeve dhe investimeve në Rugovë.
Një nga organizatorët e protestës, Flamur Rexhbogaj, deklaroi se banorët po përballen me vendime që, sipas tij, po i trajtojnë si të huaj në tokat e tyre dhe po pengojnë zhvillimin e Rugovës.
“Ne që nuk ikëm kurrë nga ato male, as kur na digjej shtëpia e as kur na vritej vëllau, prandaj nga ky moment i themi kësaj ministre dhe këtyre burokratëve që luajnë me fatet tona, se keni marrë një vendim pa pyetur askënd, sipas tekeve tuaja, dhe ky vendim për neve është i vdekur. Nuk ka gjë që e detyron malsorin të kërkojë leje për të jetuar, për të marrë frymë, për të ndërtuar shtëpinë e tij. Ne nuk kërkojmë të shkatërrojmë asgjë, por nuk do të lejojmë kurrë që nën petkun e rremë të ekologjisë të na bëhet një spastrim i heshtur socio-ekonomik për të na zënë rrugën e mërgimit”, u shpreh RexhBogaj.
Gjatë protestës së mbajtur para Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, para qytetarëve doli ministrja në detyrë, Fitore Pacolli, pas kundërshtimeve lidhur me vendimin për pezullimin e mallrave dhe shërbimeve ndërtimore në Rugovë.
Megjithatë, reagimi i disa protestuesve ndaj saj ishte i ashpër.
Ata e akuzuan Pacollin se prania e saj në protestë ishte provokim ndaj qytetarëve të mbledhur para ministrisë. Të njëjtit i kërkuan të largojnë vendimin, si dhe ti kërkojnë falje banorëve të Rugovës dhe Pejës.
Situata mes qytetarëve dhe ministres u tensionua, ndërsa disa prej protestuesve shprehën pakënaqësi të hapur ndaj saj duke ia ndalur edhe mikrofonin.
Pasi protestuesit filluan te shperndaheshin, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli ka mbajtur konferencë për media, ku tha se pas marrjes së vendimit i kishte kërkuar Komunës së Pejës hartimin e planit rregullues për Bjeshkët e Nemuna, duke ofruar edhe mbështetje nga ministria, por sipas saj, nuk kishte pasur bashkëpunim.
“Në ditën kur e kam marrë vendimin të nesërmen, i kam dërguar një letër të hapur kryetarit të Pejës, edhe i kam thënë që, është e domosdoshme të hartojmë planin rregullues për Bjeshkët e Nemuna, në mënyrë që qytetarët të ndërtojnë në mënyrë të rregullt, pra t’ia respektojmë një të drejtë që jua garanton Kushtetuta. Po ashtu i kam thënë që nëse komuna nuk ka kapacitete, qoftë njerëzore, qoftë teknike, ne si ministri jemi të gatshëm, komplet kapacitetet njerëzore e teknike që kam brenda ministrisë, t’i angazhoj që t’i ndihmojnë kryetarit të Komunës së Pejës, ta bën planin rregullues. Komuna e Pejës, si zakonisht, kryetari aktual i Pejës, i ka mbyllur veshët, edhe nuk ka dashur as me dëgjua, edhe siç e patë që jashtë, ai edhe i ka organizuar disa, sepse aty në protestë patë qytetarë që janë, ju kanë mohuar, ju ka mohuar të drejta me ndërtu me vite e vite të bëra. E shumë prej tyre që kanë ndërtuar e frikësohen edhe natën e thatë se mos po shkojnë ndonjë institucion t’ia rrënojnë. E unë me këtë vendim, unë është dashur me ndalë këtë problematikë. Se nuk mundem me leju që brenda mandatit tim, me u ndërtu në mënyrë jo ligjore e mos me bë asnjë hap për me ja u rregullu mundësinë, me ju hapë të drejtën, me ja u jap të drejtën qytetarëve me ndërtu në mënyrë të ligjshme”, shtoi ajo.
Gjatë konferencës, ministrja e përmendi disa herë se protesta po i ngjante një organizimi të LDK-së. E lidhur me këtë ajo i tha KosovaPress-it, se ia dhanë atë përshtypje.
“E thashë atë sepse, në momentin kur filloja të shpjegoja në mënyrë kronologjike, kur vija te Komuna e Pejës, e cila prej vitit 2022, nuk po e fajësoj komunën para vitit 2022 sepse nuk ka pasur një plan hapësinor, prej vitit 2022 e tani jemi në vitin 2026, Komuna e Pejës nuk ka bërë as edhe një hap të vetëm në hartimin e planit rregullues. Edhe sa herë filloja me fol për Komunën e Pejës, ma ndalnin mikrofonin, prandaj mu ma dhanë përshtypjen që është organizuar prej disa njerëzve të LDK-së, ndoshta prej kryetarit atje, që t’i mbajë qytetarët në një situatë ku ata nuk e dinë a kanë të drejtë të ndërtojnë apo jo”, u shpreh ministrja.
Në emër të bashkësisë lokale, Agron Nikqi në fund të protestës e komentoi edhe daljen e Fitore Pacollit, në një prononcim për media.
“Dalja e Fitore Pacollit ka qenë shpërlarje e takimit që ka pasur me përfaqësuesit e banorëve, me të cilët kemi pasur kërkesën për me e hjek vendimin dhe numër dy, me e shqyrtu ligjin e parkut. Numër një, nuk na ka marrë parasysh dhe ka thënë se nuk hiqet vendimi, edhe na ka shkru me shkrim se vendimi mbetet në fuqi. Dalja e saj ka qenë provokuese, sepse ka pasur mundësi që për 3 muaj me zgjidh këtë problem. Nuk di sa herë duhet me ja përsërit një njeriu kur ne nuk jemi të kënaqur me këtë vendim, dhe del e e sjell e e kamuflon në forma të tjera se ‘du me e bo ni zgjidhje për juve’, po t’i hiqe vendimin dhe hajde bisedojmë”, përfundoi ai.
Protesta përfundoi e qetë.







