Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar dy raste të personave të zhdukur në rajonin e Prishtinës.
Sipas raportit policor, rasti i parë ka ndodhur në Obiliq, ku një vajzë ka raportuar se motra e saj është larguar në drejtim të panjohur dhe më pas nuk ka arritur ta gjejë.
“Ankuesja femër kosovare ka raportuar se kishte qenë së bashku me motrën e saj, e cila për një moment ishte larguar në drejtim të panjohur dhe nuk kishte mundur ta gjejë më. Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin e policisë.
Ndërkaq, në rastin e dytë, një grua ka raportuar se partneri i saj ishte parë për herë të fundit më 21 maj 2026, rreth orës 11:37, në Prishtinë, dhe që nga ajo kohë nuk kishte informacion për vendndodhjen e tij.
Sipas ankueses, personi në fjalë vuan nga depresioni dhe ankthi.
Megjithatë, policia ka bërë të ditur se më 22 maj 2026, rreth orës 03:30, ankuesja është paraqitur në stacion policor së bashku me personin e raportuar si i zhdukur.
“Ankuesja ka raportuar se me të dashurin e saj ishte parë për herë të fundit me datën dhe kohën e cekur dhe prej asaj kohe më nuk din për vendndodhjen e tij. Sipas ankueses viktima vuan nga një sëmundje e depresionit dhe ankthit. Me 22.05.2026 ora 03:30 në stacion policor është paraqitë ankuesja me viktimën. Për rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raportin e PK-së.
Për të dy rastet është njoftuar prokurori dhe hetimet janë duke vazhduar./teve1.info/







