Një ngjarje e rëndë kriminale është zbardhur nga Policia e Vlorës, ku një 20-vjeçar dyshohet se është marrë peng dhe është dhunuar me qëllim përfitimin e një shume prej 6000 eurosh.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “STRIKE 2”, një person është vënë në pranga, ndërsa dy vëllezër janë shpallur në kërkim.
Nga hetimet rezulton se dy vëllezërit, në bashkëpunim me 24-vjeçarin e arrestuar, kanë marrë me forcë në automjetin që përdorej prej tyre një 20-vjeçar.
Më pas, ata dyshohet se e kanë transportuar të riun në një ambient të izoluar, ku kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij me qëllim detyrimin për të dhënë shumën prej 6000 eurosh.
Në pranga u vu 24-vjeçari B. H., banues në fshatin Risili, ndërkohë, janë shpallur në kërkim vëllezërit R. L., 30 vjeç dhe L. K.(L.), 34 vjeç, banues po në të njëjtin fshat.
Vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, si dhe për lokalizimin dhe arrestimin e dy personave të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, të kryera në bashkëpunim./rtsh.al/







