Për 17 nga 29 të arrestuarit të dyshuar për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm u është vazhduar masa e paraburgimit, ndërsa të tjerët janë liruar për t’u mbrojtur në liri.
Kështu është bërë e ditur për KosovaPress nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Hateme Haxhaj.
Në kuadër të këtij rasti, gjashtë të pandehurve A.I., F.D., F.M., B.S., N.H. dhe Sh.A. u është ndërprerë masa e paraburgimit dhe janë liruar më 15.05.2026.
“Gjykata Themelore në Mitrovicë, duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për ndërprerjen e masës së paraburgimit, ka marrë aktvendim që të pandehurve: A.I., F.D., F.M., B.S., N.H. dhe Sh.A., t’u ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njëjtit të lirohen menjëherë për t’u mbrojtur në liri, nga data 15.05.2026”, ka bërë të ditur Haxhaj.
Ndërkohë, për 13 të pandehur të tjerë është vazhduar masa e paraburgimit për një muaj.
“Ndërkaq, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë të datës 18.05.2026, me aktvendim të veçantë, të pandehurve: A.B., D.S., N.M., B.M., R.S., B.I., B.B., A.R., A.M., D.M., A.M.1, Xh.S. dhe D.U., u është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, ka shtuar ajo.
Për këtë grup, paraburgimi llogaritet nga 18.05.2026 deri më 17.06.2026, ndërsa për të pandehurin D.U. nga 23.05.2026 deri më 22.06.2026.
Haxhaj ka thënë se “Gjykata Themelore në Mitrovicë – dega në Vushtrri ka ndërprerë masën e paraburgimit për dy të dyshuarit B.V. dhe B.M., të cilët janë liruar për t’u mbrojtur në liri”.
Ndërkohë, për katër të pandehur të tjerë “A.M., E.M., B.M. dhe E.Ll. është vazhduar masa e paraburgimit nga 18.05.2026 deri më 17.06.2026”, raporton KosovaPress.
Po ashtu, Gjykata Themelore në Mitrovicë – dega në Skenderaj ka ndërprerë masën e paraburgimit për dy të pandehurit B.G. dhe Y.A.
Operacioni i 18 prillit është realizuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në rajonet e Mitrovicës, Vushtrrisë, Istogut dhe Skenderajt.
Gjatë aksionit janë shoqëruar 34 persona të dyshuar, janë kontrolluar rreth 50 lokacione dhe janë sekuestruar rreth 170 mijë euro para të gatshme, pesë automjete, armë zjarri dhe pajisje të tjera që dyshohet se janë përdorur për veprimtari të kundërligjshme.







