Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, së bashku me Kryeministrin e Kosovës në detyrë, Albin Kurti, morën pjesë sot në Forumin Itali–Kosovë për Agrobiznes, një ngjarje e organizuar me synim forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë, me fokus të veçantë në sektorin e agrobiznesit.
Sipas njoftimit zyrtar, në forum morën pjesë gjithashtu ambasadorja e Kosovës në Itali, Nita Shala, ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, këshilltari i Ministrit të Jashtëm të Italisë, Nicola Caputo, zëvendëspresidenti i Asociacionit AIC, Donato Scaglione, si dhe përfaqësuesi i Horës së Arbëreshëve, Antonino Cusenza.
Gjatë forumit u theksua rëndësia e marrëdhënieve të mira bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Italisë, si dhe nevoja për rritjen e investimeve, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e partneriteteve të reja në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Një vlerë e veçantë e këtij organizimi ishte pjesëmarrja e fermerëve, përfaqësuesve të agrobizneseve dhe investitorëve italianë, të cilët vizituan Kosovën për t’u njohur më nga afër me potencialin që ofron vendi në sektorin e bujqësisë, përpunimit ushqimor dhe zhvillimit rural.
Në fjalën e tij, Muja ka theksuar se Kosova mbetet e hapur për thellimin e bashkëpunimit me Italinë, jo vetëm në bujqësi dhe agrobiznes, por edhe në sektorë të tjerë që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit.
“Pjesëmarrja e fermerëve dhe agrobizneseve italiane në këtë forum është dëshmi e interesit konkret për bashkëpunim me Kosovën. Përmes investimeve, shkëmbimit të njohurive dhe transferimit të teknologjisë mund të krijojmë vlerë të shtuar për prodhuesit dhe ekonomitë e të dy vendeve,” ka deklaruar Muja.
Ai ka ritheksuar gjithashtu angazhimin e institucioneve të Kosovës për krijimin e një mjedisi të favorshëm për investitorët dhe për mbështetjen e iniciativave që synojnë rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor dhe fuqizimin e eksporteve vendore.







