Gjashtë persona janë arrestuar nga Policia Rajonale në Gjilan nën dyshimin për përfshirje në raste të vjedhjeve të rënda, pas një operacioni që u zhvillua në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan.
Sipas autoriteteve, aksioni erdhi pas një hetimi disa mujor, gjatë të cilit janë përdorur edhe masa të fshehta teknike për sigurimin e provave. Të dyshuarit dyshohet se kanë vepruar në bashkëveprim dhe se janë të përfshirë të paktën në një rast të vjedhjes së rëndë, ndërsa hetimet po vazhdojnë edhe për raste të tjera të mundshme.
Kontrolle janë realizuar në disa lokacione në Gjilan, Prishtinë dhe Fushë Kosovë, ku policia ka sekuestruar tri automjete që dyshohet se janë përdorur në kryerjen e veprave penale, si dhe telefona celularë.
Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me urdhër të prokurorit të shtetit, të gjashtë të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Komunikata e plotë:
“Arrestohen gjashtë persona të dyshuar për vjedhje të rëndë
Gjilan, 19 maj 2026
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përkatësisht hetues nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan në koordinim dhe me autorizim nga Prokuroria Themelore në Gjilan, si rezultat i një hetimi disa mujor dhe veprimeve intensive hetimore me qëllim të sigurimit të provave dhe dëshmive relevante, përfshirë edhe zbatimin e masave të fshehta teknike të hetimit, sot me datën 19.05.2026 kanë arritur që të identifikojnë dhe arrestojë gjashtë persona të dyshuar meshkuj kosovarë.
Gjatë zhvillimit të hetimeve janë siguruar prova që dyshohet se të njëjtit në bashkëveprim kanë qenë të përfshirë të paktën në një rast të veprës penale ‘’Vjedhje të rëndë’’, ndërsa ekzistojnë dyshime se të njëjtit janë të përfshirë edhe në disa raste të tjera të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda për të cilat hetuesit policorë janë duke vazhduar punën intensive në sigurimin e provave dhe ndriçimin e plotë të rasteve.
Në kuadër të procedurave ligjore dhe me autorizim nga gjykata kompetente, janë realizuar kontrolle në disa lokacione në Gjilan, Prishtinë e Fushë Kosovë. Gjatë këtyre kontrolleve janë sekuestruar dëshmi materiale, përfshirë edhe tri automjete që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprave penale si dhe telefona celularë.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, gjersa me vendim të Prokurorit të Shtetit që të gjashtë të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Hetimet lidhur me këto rast janë duke vazhduar.”







