Situata në kantierin e aeroportit të Vlorës vijon të mbetet e tensionuar , ku për të dytën ditë radhazi vijon të bllokohet hyrja e punonjësve nga dy kompanitë kryesore që kryejnë punimet në terminal.
Për pasojë, procesi i punës është pezulluar, ndërsa dhjetëra nënkontraktorë thonë se nuk po lejohen as të marrin pajisjet e tyre të punës.
Siç raporton RTSH në qendër të konfliktit janë mosmarrëveshjet mes dy kompanive që operojnë në aeroportin e Vlorës. Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga palët lidhur me zgjidhjen e konfliktit apo kohën kur pritet të rifillojnë normalisht punimet.
Firmat nënkontraktore, që sipas tyre janë rreth 40–42 kompani, shprehen se terminali është drejt përfundimit dhe kanë mbetur vetëm pak ditë punë për dorëzimin final të projektit.
Njëri prej punonjësve të nënkontraktuar, Florian Hadroj, tha se kompania e tij ka kryer punime me gips, bojë, pllaka dhe veshje dekorative në mure, por prej dy ditësh nuk po lejohet të hyjë në objekt.
“Jemi njoftuar dje dhe kemi ardhur për punë, por nuk na kanë lejuar të hyjmë brenda. Kemi ende veglat e punës në kantier dhe punimet nuk kanë përfunduar. Nuk e dimë çfarë ka ndodhur mes dy kompanive, por nuk është e drejtë të penalizohemi ne. Për 10–15 ditë aeroporti përfundon plotësisht, janë vetëm punimet e fundit”, u shpreh ai.
Edhe një tjetër nënkontraktor, Pejan Krasniqi, deklaroi se mbi 90% e punimeve janë realizuar dhe kanë mbetur vetëm detaje për t’u mbyllur.
“Kanë mbetur jo më shumë se 4–5 ditë punë dhe terminali dorëzohet. Dje kemi ardhur në punë, por me urdhër të VIA-s nuk na kanë lejuar të hyjmë, me arsyetimin se kontrata e kompanisë që na ka nënkontraktuar ka përfunduar. Mosmarrëveshjet mes tyre po penalizojnë nënkontraktorët dhe po pengojnë dorëzimin e punimeve”, tha Krasniqi.
Sipas nënkontraktorëve, në këtë situatë janë përfshirë dhjetëra kompani dhe shumë punonjës, ndërsa bllokimi i kantierit rrezikon të vonojë përfundimin e punimeve në aeroportin e Vlorës.









