Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, përmes Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP), ka lansuar platformën e trajnimeve digjitale për siguri kibernetike për shërbyesit civilë. Programi është financuar nga Qeveria e Luksemburgut dhe mbështetur nga Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor, LuxDev.
Në ceremoninë e lansimit, ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulzon Jagxhiu, tha se programi po lansohet në një moment të rëndësishëm për transformimin digjital të institucioneve publike.
“Sot gjithnjë e më shumë shërbimet publike, po edhe proceset e brendshme të shtetit mbështeten në sisteme digjitale. Në e-Kosova tashmë kemi mbi 320 shërbime, jemi në prag të nënshkrimit të kontratës së re për e-Kosova 2.0 që do të ketë edhe 400 shërbime të reja”, tha ai.
Sipas tij, rritja e digjitalizimit rrit edhe ekspozimin ndaj sulmeve dhe kërcënimeve kibernetike.
“Sulmet ransomware, phishing, si dhe vjedhja e kredencialeve vazhdojnë të rriten nga viti në vit, duke shkaktuar dëme me miliarda euro dhe duke i prekur institucionet publike, kompanitë private, por edhe vetë qytetarët në mbarë botën”, u shpreh Jagxhiu.
Ai theksoi se siguria kibernetike nuk është vetëm çështje teknologjie, por kërkon angazhim institucional dhe shoqëror.
“Çdo qytetar, çdo shërbyes civil dhe çdo përdorues i sistemeve digjitale ka rol në mbrojtjen e hapësirës sonë digjitale. Një email phishing i hapur pa kujdes, një fjalëkalim i dobët, apo një moment pakujdesie mund të krijojnë pasoja serioze për institucionet publike dhe për sigurinë e të dhënave të shtetit dhe të qytetarëve”, deklaroi ai.
Ministri në detyrë bëri të ditur se programi synon forcimin e dimensionit njerëzor të sigurisë kibernetike përmes njohurive praktike për shërbyesit civilë dhe menaxherët e administratës publike.
“Programi ofron njohuri bazike, por edhe praktike për shërbyesit civilë në përgjithësi, por edhe me module të veçanta për menaxherët në administratën publike”, tha Jagxhiu.
Trajnimet përfshijnë identifikimin e emaileve phishing dhe mashtrimeve digjitale, mbrojtjen e kredencialeve dhe fjalëkalimeve, përdorimin e sigurt të pajisjeve dhe sistemeve digjitale, si dhe mbrojtjen e të dhënave institucionale dhe të qytetarëve.
Jagxhiu theksoi se modeli i e-mësimit do të mundësojë trajnime të vazhdueshme dhe fleksibile për një numër të madh të shërbyesve civilë.
“Përparësia e modelit të e-mësimit është aty se trajnimi ofrohet në mënyrë të vazhdueshme, në mënyrë paralele ndaj një numri shumë të madh të shërbyesve civilë, dhe mundëson standardizim dhe fleksibilitet në trajnime për shkak se qasja në trajnime mund të bëhet nga çdo vend dhe në çdo kohë”, tha ai.
Në fund, ministri falënderoi Dukatin e Madh të Luksemburgut dhe IKAP-in për mbështetjen në realizimin e programit.
“Jam mëse i bindur se ky program i trajnimeve jo vetëm që do të mundësojë ngritjen e vetëdijesimit në fushën e sigurisë kibernetike, por paraqet një kontribut shumë të rëndësishëm në reformën e administratës sonë publike”, përfundoi Jagxhiu.
Kurse i ngarkuari me punë në Ambasadën e Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, ka thënë se siguria kibernetike është thelbësore për ruajtjen e besimit të qytetarëve dhe funksionimin efektiv të institucioneve publike.
Në lansimin e platformës së trajnimeve për siguri kibernetike për shërbyesit civilë, Dietz tha se projekti pasqyron bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut në mbështetje të administratës publike dhe qëndrueshmërisë digjitale, shkruan RTK.
“Sot, siguria kibernetike nuk është vetëm për teknologji, është edhe për njerëz. Siguria për këto informata është esenciale për mirëmbajtjen e besimit të qytetarëve dhe për të siguruar funksionimin efektiv të institucioneve”, tha ai.
Sipas tij, asnjë sistem digjital nuk mund të jetë i sigurt pa profesionistë të aftë që kuptojnë rrezikun dhe reagojnë ndaj kërcënimeve.
“Shërbimi civil luan një rol qendror në këtë përpjekje. Ata janë rojet e besimit të qytetarëve dhe administratës digjitale. Për këtë arsye, investimi në njerëz, aftësi dhe njohuri është esenciale”, deklaroi Dietz.
Ai bëri të ditur se Luksemburgu ka mbështetur Institutin e Kosovës për Administratë Publike në zhvillimin e një programi online të trajnimeve për siguri kibernetike, të përshtatur për nevojat e institucioneve të Kosovës.
“Do të mbështesë gjithë shërbimin civil në Kosovë me aftësi praktike për të mbrojtur dhe për të përforcuar mbrojtjen e të dhënave, njohjen e kërcënimeve kibernetike dhe për të kontribuuar në një kulturë të sigurisë digjitale”, tha ai.
Dietz theksoi se mbështetja e Luksemburgut shkon përtej trajnimeve të administratës publike dhe përfshin zhvillimin e një ekosistemi të sigurisë kibernetike në Kosovë.
“Kjo përfshin mbështetjen e niveleve të masterit dhe doktoraturës, duke përforcuar lidhjet në mes të Universitetit të Prishtinës dhe atij të Luksemburgut, dhe duke pozicionuar profesionistë të rinj të Kosovës në komunitetin evropian të kërkimeve dhe risive”, u shpreh ai.
Ai po ashtu tha se Luksemburgu ka mbështetur krijimin e infrastrukturës kyçe të sigurisë kibernetike në Kosovë.
“Përtej trajnimeve, Luksemburgu po ashtu ka mbështetur themelimin e infrastrukturës kyçe të sigurisë kibernetike, duke përfshirë një laborator modern të sigurisë kibernetike me pajisje për të analizuar kërcënimet dhe mbrojtje të sistemeve kritike”, deklaroi Dietz.
Në fund, ai inkurajoi institucionet që të promovojnë pjesëmarrjen e stafit në trajnimet për siguri kibernetike dhe ritheksoi mbështetjen e Luksemburgut për Kosovën.
“Luksemburgu mbetet një donator i qëndrueshëm për të mbështetur Kosovën për të krijuar një sistem administrate publike të siguruar dhe të orientuar për të ardhmen”, përfundoi Dietz.







