Edhe një 17 maj, i gjeti tek kompleksi memorial i dëshmoreve në fshatin Shqiponjë.
E këtu, sërish të parët që arritën ishin familjarët.
Kështu të dielën ky fshat i Gjakovës, u vesh sërish me ngjyrat kuq e zi.
E gjitha kjo me rastin e Ditës së Dëshmorëve në Gjakovë.
Nuk vonoi shumë këtu arriti edhe ish-komandanti i kësaj zone, Ramush Haradinaj.
Ky i fundit, bashkë me udhëheqësit komunal, bën homazhe në nderim të 43 dëshmorëve të rënë në luftën e fundit.
E më pas, të gjithë u ngritën në këmbë për intonimin të himneve.
“Këtu jemi në një vend ku është ndoshta më i pari që e ka shijuar lirinë. Pra, e ka këtë dy herë. Herën e parë është rezistenca ndaj forcave serbe e pra para se me filluar formacionet e rregullta të UÇK-së. Bëhet fjalë diku menjëherë pas vitit ’90. E këta nuk kanë lejuar me depërtuar sikurse e dimë forcat e regjimit të Millosheviqit, kanë operuar në gjithë Kosovën edhe kanë qenë vërtet mizorë. Po Jabllanica ua ka ndaluar atyre hyrjen këtu shumë herë. Pra, ata s’kanë mundur me hy pa ndodh luftë. Kjo është një e vërtetë historike që ka ndodh në këtë vend”, tha Haradinaj.
E më pas, radha i erdhi një monologu.
Këto fjalë duket se e prekën thellë, ish-komandantin e zonës së Dukagjinit.
E dhimbja e krenaria të dielën në Jabllanicë, u pa edhe në sytë e familjarëve.
“Jabllanica nuk u bë rastësisht vatër e rezistencës. Ky fshat kishte përjetuar shumë herë dhimbjen e robërisë dhe tragjedinë e humbjes në vitin 1921. Jabllanica përjetoi një masakër të rëndë ku masakruan të gjithë burrat e fshatit duke lënë pas fëmijë që u rritën pa baballarët e tyre. Ajo plagë nuk u harrua kurrë. Ajo jetoi në kujtesën e çdo familje dhe u trashëgua brez pas brezi si një amanet që kjo tokë të mos mbetej më kurrë e pambrojtur”, u shpreh Avdyl Zeneli-veteran i UÇK-së.
Se banorët e kësaj ane e inspiruan popullin me vepra, e tha i pari i Gjakovës.
“Kemi shembujt e njerëzve të cilët nuk kanë pasur nevojë me fol shumë për shkak se e kanë dëshmuar prej vetes së tyre që janë në gjendje me e bë sakrificën e fundit, ultimate, për lirinë e këtij vendi. I kemi pasur këtu në Shqiponjë në Jabllanicë, Loxhan, Peqan edhe në shumë vende të tjera të Kosovës, pa fol, pa fol me vepër kanë mbrti me inspiru një popull me u çu në këmbë edhe me rreziku jetën, me luftu deri në fund”, Ardian Gjini kryetar i Komunës së Gjakovës.
Ndërkaq, në emër të ish-shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës foli Nait Hasani.
“Këtu është nëna ime, nëna e UÇK-së, Azë Brahimaj, që me pushkë e gjak e mbrojtën vendin. Këtë e këta të gjallët Lahiu, Gjevati, Hyseni, Hajdari, Sukuri, Selimi e të tjerët janë këtu. Këtu mes nesh të gjallë, heronj e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra, duhet të dimë të gjithë se pa këta djem e vajza, pa nënat tona që i dolën zot vendit, ky vend i Jabllanicës nuk ishte çliruar. Pra, me këta dhe dëshmorët Kosova sot është e lirë”, tha Hasani.
Ndryshe, Më 17 maj 1999 në Shqiponjë, ish- Jabllanicë Ushtria Çlirimtare e Kosovës zhvilloi një betejë vendimtare kundër forcave serbe, duke çliruar zonën e Jabllanicës dhe Dushkajës.






