Një qytetar nga Prizreni ka dorëzuar në stacionin policor shumën prej 155 eurosh të cilat i kishte gjetur në një lokal, ka njoftuar Policia e Kosovës të premten.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur më 14.05.2026, rreth orës 20:00, kur qytetari Murat Buzhala është paraqitur në stacionin policor dhe ka dorëzuar të hollat e gjetura.
Më pas, në polici është paraqitur një qytetare e cila ka deklaruar se i kishte humbur paratë në të njëjtin lokacion.
Pas verifikimeve, shuma i është kthyer pronarit ligjor.
“Më datë 14.05.2026, rreth orës 20:00, në Stacionin Policor Prizren është paraqitur qytetari Murat Buzhala, i cili ka sjellë shumën prej 155 euro, të cilat i kishte gjetur në një lokal në Prizren. Nga qytetari është marrë deklarata dhe janë pranuar të hollat. Ndërkohë, në stacionin policor është paraqitur qytetarja E. A., e cila ka deklaruar se i kishte humbur të hollat në lokacionin e përmendur. Pas verifikimit, të hollat i janë kthyer pronarit ligjor, ndërsa janë përpiluar raportet përcjellëse për rastin. Policia e Kosovës vlerëson lart veprimin e qytetarit Murat Buzhala, i cili me ndershmëri dhe përgjegjësi ka dorëzuar mjetet e gjetura, duke dhënë shembull të mirë për komunitetin”, thuhet në njoftim./teve1.info/







