Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë dhe ka dënuar ashpër kërcënimin e bërë ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Muharrem Prekazi, gjatë ushtrimit të detyrës së tij zyrtare në seancë gjyqësore.
Në një reagim në Facebook, Shoqata thekson se çdo formë kërcënimi, presioni apo intimidimi ndaj prokurorëve për shkak të funksionit të tyre kushtetues dhe ligjor përbën cenim serioz të pavarësisë së sistemit prokurorial dhe sulm të drejtpërdrejtë ndaj sundimit të ligjit.
“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës konsideron se siguria dhe integriteti i prokurorëve janë elemente esenciale për funksionimin e pavarur dhe efikas të sistemit të drejtësisë, andaj raste të tilla duhet të trajtohen me prioritet dhe seriozitet të plotë nga institucionet kompetente”, theksohet në reagim.
Njëkohësisht, Shoqata ka shprehur mbështetjen e plotë profesionale dhe institucionale për prokurorin Prekazi, si dhe për të gjithë prokurorët e Kosovës që vazhdojnë të ushtrojnë detyrën e tyre me profesionalizëm, integritet dhe përkushtim, pavarësisht sfidave dhe presioneve.
“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës rithekson se do të vazhdojë të reagojë ndaj çdo veprimi që cenon pavarësinë, sigurinë dhe integritetin e prokurorëve në ushtrimin e funksionit të tyre kushtetues dhe ligjor”, thuhet në fund të reagimit.







