Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar, ka vizituar Kalanë e Prizrenit, ku ka bërë të ditur një investim të ri qeveritar në vlerë prej rreth 450 mijë eurosh.
Sipas tij, ky projekt ka për qëllim zhvendosjen e rezervuarit të ujit jashtë mureve të kalasë, për shkak të çështjeve të sigurisë dhe kapacitetit të kufizuar të infrastrukturës ekzistuese.
Kurti ka theksuar se instalimi aktual daton që para Luftës së Dytë Botërore dhe ka një kapacitet prej rreth 480 metra kub ujë, i cili nuk i plotëson më nevojat e furnizimit për disa lagje të Prizrenit.
Me investimin e ri, sipas tij, kapaciteti pritet të dyfishohet në rreth 1000 metra kub, duke përmirësuar ndjeshëm furnizimin me ujë në zonë.
“Po i përgjigjemi pozitivisht një kërkese për zhvendosjen e një infrastrukture të ujit jashtë hapësirës së kalasë, sepse ajo shkakton probleme të sigurisë dhe në të njëjtën kohë nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për përpunimin e ujit për furnizimin e katër lagjeve të Prizrenit. Bëhet fjalë për një instalim i cili është qysh para luftës së dytë botërore 1939-shit. Ndërkaq, në anën tjetër edhe kapaciteti është i vogël, është diku rreth 480 metra kub ujë, ndërkohë që me investimet e reja të cilat kapin vlerën prej afër 450 mijë euro, do të jetë më shumë se dyfishim i kapacitetit në 1000 metra kub”, ka thënë Kurti gjatë deklaratës së tij.
Ai ka shtuar se Kalaja e Prizrenit mbetet një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit kulturor në Kosovë, me mijëra vizitorë vendorë dhe të huaj çdo vit, dhe se Qeveria do të vazhdojë të investojë në ruajtjen dhe zhvillimin e saj.
Kurti ka theksuar gjithashtu se këto investime synojnë të rrisin sigurinë, turizmin dhe ndikimin ekonomik të zonës për komunitetin lokal./teve1.info/







