Me rastin e Ditës së Evropës, BE-ja në Kosovë inkurajon reforma të mëtejshme në rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe i jep çmimin “Evropiania e Vitit” Shqipe Neziri Velës
Ushtruesja e detyrës së Shefes së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, në kuadër të pritjes tradicionale të BE-së në Kosovë për shënimin e Ditës së Evropës theksoi mbështetjen karshi Kosovës dhe partneritetin për rrugëtimin në integrimin evropian.
Palatova përmendi edhe Planin e Rritjes dhe nevojën që Kosova t’i ndërmarrë reformat për t’i përfituar mjetet financiare.
“Ky partneritet [mes BE-së dhe Kosovës] është i prekshëm. BE-ja është partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës, si dhe ofruesi i saj më i madh i ndihmës financiare. Që nga viti 1999, më shumë se 3.7 miliardë euro në grante kanë mbështetur infrastrukturën, energjinë, arsimin, median dhe sundimin e ligjit, për të përmendur disa.
Dhe, më shumë është në tryezë. Kosova është pjesë e të gjitha instrumenteve dhe kornizave të vëna në dispozicion të të gjithë gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të integruar të gjithë rajonin sa më shpejt të jetë e mundur në Bashkimin Evropian.
Përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Kosova mund të ketë qasje në rreth 882 milionë euro deri në vitin 2027, të lidhura me reformat që forcojnë institucionet, nxisin ekonominë dhe sjellin përmirësime të prekshme për të gjithë njerëzit në Kosovë.”
Gjatë pritjes për shënimin e Ditës së Evropës, Bashkimi Evropian i ka ndarë Shqipe Neziri-Velës çmimin “Evropiani Vitit” për vitin 2026.
Vela, e cila është eksperte me përvojë ndërkombëtar në fushën e energjisë dhe minierave, tha se ky çmim është një nder, derisa shtoi se Bashkimi Evropian nuk ekziston vetëm si një ëndërr politike e largët, por si një akt i përditshëm ndërtimi në Kosovë.
“Sa nder dhe emocion të thellë është të marr këtë çmim në Ditën e Evropës këtu në Kosovë, ku Evropa nuk ekziston vetëm si një ëndërr politike e largët, por si një akt i përditshëm ndërtimi përmes guximit, vendosmërisë dhe shpresës së palëkundur. Në thelb, Evropa gjithmonë ka mishëruar një të vërtetë të qëndrueshme: përparimi lulëzon kur të gjithë përfshihen. Këtë e shihni qartë në të gjithë Bashkimin Evropian dhe edhe më fuqishëm këtu në Kosovë, ku tranzicioni kërkon shumë më tepër sesa thjesht ndryshim sistemesh. Bëhet fjalë për atë se kush i formëson këto sisteme. Në të gjithë kontinentin tonë dhe veçanërisht këtu në Kosovë, pyetja nuk është më vetëm për praninë, por për ndikimin, nëse gratë po i formësojnë vendimet apo po qëndrojnë pas tyre. Kjo qëndron në zemër të gjithçkaje së cilës i kam kushtuar jetën time: fuqizimit të grave, veçanërisht në fusha si STEM dhe sektori i energjisë që vazhdojnë të jenë të dominuara nga burrat, ku ndryshimi po ndodh shpejt, por jo në mënyrë të barabartë”, tha ajo.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalën e tij të rastit theksoi nevojën që Kosova të përfitojë nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Ai përmendi edhe nevojën që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE.
“Më shumë se 80% e qytetarëve tanë përkrahin anëtarësimin në BE, një nga numrat më të lartë të përkrahjes kudo në Evropë. Kemi bërë progres të rëndësishëm. Kemi një nga rritjet më të mëdha të pagave në Evropën Lindore dhe më të fortën në Ballkanin Perëndimor. Jemi të parët në linjë kur bëhet fjalë për zhvillime demokratike, sipas World Justice Project dhe Freedom House, Transparency International apo indeksit World Press Freedom… Pas një dekade në pritje, ne tani gëzojmë liberalizimin e vizave dhe morëm vendimin që të aplikojmë për anëtarësinë në BE në dhjetor të vitit 2022. Jemi pjesë e Planit të Rritjes dhe po bëjmë çdo gjë që ta fuqizojmë në çdo hap. Ne kemi disa sfida këtu, siç e dini, me ligje që duhet të miratohen që nga dhjetori i kaluar. Më 15 prill, ne shënuam 40 muaj që nga dërgimi i aplikimit për anëtarësi në Pragë”, tha Kurti
BE-ja në Kosovë organizon një sërë aktivitetesh kulturore, edukative e sportive në qytete të ndryshme të Kosovës gjatë muajit maj si pjesë e programit të Ditës së Evropës.







