Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se ka dekoruar pas vdekjes akademik, Rexhep Qosjen me titullin “Nderi i Republikës së Kosovës”.
Haxhiu ka thënë se ky titull përbën një shenjë mirënjohjeje për një jetë të tërë në shërbim të dijes, lirisë dhe dinjitetit kombëtar.
Ajo e ka cilësuar Qosjen si një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë, shkencës dhe mendimit shqiptar, duke theksuar se ai, me veprën e tij të gjerë, qëndrimin publik dhe përkushtimin ndaj çështjeve kombëtare, la gjurmë të thella në kulturën shqiptare dhe në vetëdijen kombëtare.
“Me nderim të thellë, e kam dekoruar pas vdekjes akademik Rexhep Qosjen me titullin “Nderi i Republikës së Kosovës”. Rexhep Qosja ishte një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë, shkencës dhe mendimit shqiptar. Me veprën e tij të gjerë, me qëndrimin e tij publik dhe me përkushtimin ndaj çështjeve të mëdha të kombit, ai la gjurmë të thella në kulturën shqiptare dhe në vetëdijen tonë kombëtare. Ky titull është shenjë mirënjohjeje për një jetë të tërë në shërbim të dijes, lirisë dhe dinjitetit kombëtar. I përjetshëm qoftë kujtimi për të”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ndryshe, Rexhep Qosja vdiq më 23 prill të këtij viti në moshën 89-vjeçare.




